CorrWatch thotë se emërimi i sekretarit të Kryeministrisë është antiligjor

Prishtinë | 27 Nën 2024 | 14:12 | Nga Ekonomia Online

Iniciativa CorrWatch ka thënë se emërimi i Arben Krasniqit si sekretar i Zyrës së Kryeministrisë të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë është në kundërshtim me Ligjin për Zyrtarët Publikë.

Krasniqi sot u emërua si sekretar i Kryeministrisë pasi e ka ushtruar këtë funksion si ushtrues detyre që kur Fitim Krasniqit nuk i vazhdua mandati në vitin 2021.

Sipas Corrwatch, emërimi i sekretarit nuk ka ndjekur kushtet dhe pozitat ligjore. Siç thotë iniciativa, lista e kandidatëve fitues për këtë pozitë ka përfunduar më 15 korrik 2022 dhe Kryeministri është dashur ta zgjedhë njërin nga kandidatët brenda 10 ditëve.

“Pas më shumë se dy vitesh nga përfundimi i procesit të rekrutimit për këtë pozitë, Qeveria ka emëruar kandidatin e tretë në listën e tre (3) kandidatëve fitues. Sipas paragrafit 1 të nenit 42 të Ligjit Nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publikë (LZP), mbi bazën e të cilit është zhvilluar procedura e rekrutimit, mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë (në këtë rast Kryeministri) është i obliguar të përzgjedhë një nga kandidatët fitues të propozuar brenda një afati dhjetë (10) ditor nga shpallja e listës së fituesve, sipas paragrafit 8 të nenit 40. Në këtë rast, afati 10-ditor ka kaluar, pasi lista e kandidatëve fitues është shpallur më 15 korrik 2022”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga konsorciumi i organizatave i përbërë nga GLPS, GAP dhe INDEP.

CorrWatch në reagim ka thënë se Ligji për Zyrtarët Publikë (paragrafi 2 i nenit 42) e ka përcaktuar se si vijon procesi tutje kur ka më shumë se një kandidat fitues. “Atëherë në këtë rast automatikisht konsiderohet i emëruar në detyrë kandidati me pikët më të larta”.

“Përpos faktit që stërzgjatja e procesit të emërimit ka dëmtuar efikasitetin e procedurës së rekrutimit, CorrWatch vlerëson se emërimi i Sekretarit të Zyrës së Kryeministrit është në kundërshtim me ligjin dhe si i tillë, vendimi duhet të anulohet pasi përbën shkelje të qartë të dispozitave ligjore”, vijon tutje komunikata.

CorrWatch i ka bërë thirrje Qeverisë që të reflektojë mbi këtë proces dhe të ndërmerr hapat e nevojshëm për anulimin e vendimit.

“Ky vendim përveç se bie ndesh me dispozitat ligjore, dëmton integritetin e institucioneve publike në këtë rast Zyrën e Kryeministrit si dhe në përgjithësi proceset e rekrutimit të pozitave të larta si dhe mund të shërbej si precedent i keq edhe në institucionet tjera”, përfundon komunikata.

Të ngjashme