Covid-19, dy kompani farmaceutike rifillojnë testimin e vaksinës

Prishtinë | 24 Tet 2020 | 08:54 | Nga Ekonomia Online

Dy kompani prodhuese barnash njoftuan të premten rifillimin e testimit në Shtetet e Bashkuara të vaksinave të tyre për COVID-19.

Testimi i vaksinës së kompanisë AstraZeneca ishte ndërprerë që nga fillimi i shtatorit, ndërsa studimi i vaksinës Johnson & Johnson u ndalua në fillim të javës së kaluar. Çdo kompani pati një nga vullnetarët e studimit të saj që shfaqi probleme serioze shëndetësore, zhvillim ky që kërkon një rishikim të të dhënave të sigurisë.

Të dy vaksinat e koronavirusit janë ndër disa vaksina kandidate në fazën përfundimtare të testimit, hapi i fundit ky para se të kërkohet miratimi i agjencive rregullore. Kompanitë farmaceutike thanë se morën miratimin të premten nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave për të rifilluar testet në Shtetet e Bashkuara.

Ndalime të tilla të përkohshme të testimit të ilaçeve dhe vaksinave janë relativisht të zakonshme. Në hulumtimet që përfshijnë mijëra pjesëmarrës, disa ka të ngjarë të sëmuren. Ndërprerja e një studimi i lejon studiuesit të hetojnë nëse sëmundja është një efekt anësor apo një rastësi.

Testimi i vaksinës AstraZeneca, i zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, tashmë ka rifilluar në Mbretërinë e Bashkuar, Brazilin, Afrikën e Jugut dhe Japoni.

“Rinisja e provave klinike në të gjithë botën është një lajm i shkëlqyer pasi na lejon të vazhdojmë përpjekjet tona për të zhvilluar këtë vaksinë që do të ndihmojë në mposhtjen e kësaj pandemie të tmerrshme”, tha në një deklaratë Pascal Soriot, drejtor ekzekutiv i kompanisë AstraZeneca.


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme