Covid-19 për disa muaj mbylli afro 100 biznese në Kosovë

Prishtinë | 07 Dhj 2020 | 13:04 | Nga Ekonomia Online

Situata pandemike e krijuar si pasojë e COVID-19 përpos që preku shëndetit e shumë qytetarëve, ndikoi në masë të madhe edhe në situatën ekonomike.

Që nga muaji mars kur edhe u konfirmuan rastet e para me koronavirus, vendit iu shtuan telashet edhe sa i përket sigurimit të jetesës për qytetarët.

Për disa muaj radhazi, rreth 80 mijë qytetarë humbën vendin e punës, shifër kjo që rrezikon të shkojë në 100 mijë deri në fundvit.

Por jo vetëm kaq. Si pasojë e përhapjes së madhe të virusit COVID-19, në Kosovë u mbyllën 96 biznese.

Kjo u bë e ditur për lajmi.net nga Agjencia Tatimore e Kosovës.

Në një përgjigje dhënë për portalin Zyra për Informim e ATK-së theksoi se janë afro 100 biznese të cilat nuk arritën t’i bënin ballë situatës së krijuar nga ky virus.

“Numri i bizneseve të çregjistruara nga muaji marse deri me tani është 96”, u tha në përgjigje.

Të njëjtit nuk dhanë detaje shtesë se cila komunë ishte ajo që pësoi më së shumti sa i përket mbylljes së bizneseve.

Shumica e bizneseve në Kosovë, gati në të gjithë sektorët, kanë raportuar vlera të mëdha të humbjeve financiare dhe zvogëlim të kapaciteteve prodhuese, nga masat e marra nga Qeveria më 13 mars për parandalimin e pandemisë COVID-19.

Ditë më parë në një përgjigje dhënë për lajmi.net nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat u theksua se shumë prej atyre që edhe humbën punën gjatë pandemisë, ishin pa kontrata të rregullta pune.

“Tani kemi rreth 80 mijë qytetarë deri në fund të vitit kalon shifrën 100000”, u tha nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës.

Të premten që shkoi në Kuvendin e Kosovës u arrit të votohet Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike, me 72 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, projektligj ky që në vete ka disa nene, të cilat e bëjnë të mundshme zbatimin e qeverisë për rimëkëmbje ekonomike.

“Përpos 10 përqindëshit nga Trusti i Kursimeve Pensionale, është kapitalizimi i Fondit për garantimin e kredive deri në 100 milionë mbulimi i kamatave për të gjitha bizneset që do të marrin kredi, mundësi që edhe fermat e vogla të marrin kredi”, pati deklaruar ministrja e Financave, Hykmete Bajrami.

Deri më tani, vlera e mjeteve në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës ka arritur në mbi 2 miliardë euro me rreth 690 mijë kontributpagues.

Sipas Trustit, rreth 213 mijë kontributpagues kanë deri në 1,000 euro në llogaritë e tyre, apo 33 për qind e tyre. Po ashtu, deri 5,000 euro kanë 30 për qind e kontributpaguesve, apo rreth 195 mijë qytetarë.

Kjo i bie se vlera e përgjithshme që do të mund të tërhiqej nga Fondi është rreth 200 milionë euro, mjete këto, që sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, janë konsideruar se do të stimulonin kërkesën agregate në treg.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme