Qendra e Transfuzionit të Gjakut në Prishtinë nuk ka mjaftueshëm rezerva të dozave të gjakut ka konfirmuar në një intervistë për Ekonomia Online, doktoresha Hedije Mahmutaj.
Tutje, ajo tha se në këtë qendër çdo 15 minuta kërkohet një dozë gjaku. Doktoresha Mahmutaj theksoi se përmes gjakut nuk transmetohet virusi, prandaj secili person që është i shëndoshë mund të dhurojë gjak.
“Transfuzioni i gjakut ka nevojë çdo ditë për dhurues të gjakut ndërsa në transfuzion të gjakut në çdo 15 minuta ose çdo gjysmë ore kërkohet një dozë gjaku. Derisa një dhurues i gjakut mashkull dhuron një herë në tre muaj dhe një dhuruese e gjakut femër dhuron gjak një herë në katër muaj, ndërsa një pacient në gjendje të rëndë mundet brenda 24 orëve me i marrë deri në 50 doza gjak”.
“Nuk mund të themi që kemi gjak mjaftueshëm sepse duhet të ketë dhurime çdo dit dhe burimi vetëm i gjakut është njeriu. Dhurues të rregullt nuk kanë ardhur gjatë pandemisë sepse ka qenë ajo frika për shkak të situatës me Covid-19. Përmes gjakut nuk transmetohet virusi prandaj e kemi trajtimin e dhuruesve të gjakut të cilët nuk pranohen dhe të cilët refuzohen”.
Sipas saj, pandemia ka ndikuar shumë në zvogëlimit e dhurimit të gjakut. Ajo përmendi edhe aksionet sa i përket dhurimit të gjakut nëpër xhami e fshatra.
Mirëpo, Mahmutaj thotë se këtij aksioni i është përgjigjur edhe Policia e Kosovës dhe FSK-ja.
“Pandemia ka ndikuar shumë në zvogëlimit e dhurimit të gjakut. Siç e dimë shkaku i situatës ne e kemi plan programin vjetor që i bëjmë organizimet për dhurimin e gjakut. Por për shkak të pandemisë nuk kemi mundur të realizojmë aktivitete në mënyrë tjetër gjë që kemi hasur në vështirësi për organizimin e tyre shkaku i situatës ne duhet ti respektojmë rregullat për Covid-19″.
“Në fillim kemi pasur vështirësi të mëdha por janë dhuruesit e rregullt që kanë qenë edhe më herët. Kemi pasur edhe disa aksione nëpër xhamia. Poashtu iu ka përgjigjur thirrjes edhe policia e Kosovës pastaj kemi dhurues nga FSK-ja. Kemi dhurues edhe nëpër fshatra gjithmonë duke respektuar rregullat”, tha ajo.
Mes tjerash, ajo shtoi se ka mungesë të grupit negativ të gjakut.
Për të gjithë vullnetarët që dëshirojnë të caktojnë termin për të dhuruar gjak në Prishtinë atë mund ta bëjnë përmes uebfaqes së Transfuzionit të Gjakut.
Ndryshe Transfuzioni i Gjakut është i hapur për personat që duan të dhurojnë gjak prej orës 08:00 deri në ora 18:00, për qytetarët të moshës 18 deri në 65 vjet.
“Tash varet prej urgjencave se cilin grup e ka pacienti. Grupet e gjakut negative janë të pakta 15% dhe kemi mungesë të atyre grupeve ndërsa grupe tjera nuk mund të themi që kemi zero më pak apo grupit A më pak se krejt varet nëse është një urgjencë e madhe mund të marrë të gjitha dozat e gjakut”.
“Në Prishtinë të gjithë dhuruesit e gjakut që dëshirojnë të caktojnë termin për të ardhur dhe për të dhuruar gjak e kemi uebfaqen e transfuzionit të gjakut. Përndryshe transfuzioni i gjakut punon 24 orë, ndërsa vullnetarët mund të vijnë për të dhuruar gjak prej orës 08:00 të mëngjesit deri në orën 18:00. Ndërsa gjatë vikendit mund të vijnë prej orës 09:00 deri në orën 17:00”.
“Ministria e Shëndetësisë çdo herë na ka përkrahur dhe çdo tre muaj kur kemi aktivitet ata i përgjigjen ftesës. Dhurimi i gjakut varet prej qytetarëve. Kjo është një ndihmë e madhe për pacientët. Moshat që vijnë për të dhuruar gjak janë 18 deri 65 vjet”.
Kurse Blerim Latifi, vullnetar apelon te të gjithë qytetarët që janë të shëndoshë të dhurojnë gjak sepse nuk ka ndjenjë më të mirë se të shpëtosh jetë.
“Ndjenjë më e mirë s’ka se me dhuruar gjak. Rregullisht dhuroj gjak. Dhe apeloj kush ka mundësi me ardh me dhënë gjak”.
“Është ndjenjë e mirë kur e din që shpëton jetën e njeriut. Kush ka mundësi dhe që e ndien veten që është i shëndoshë me ardhur me dhënë gjak sa herë të ka mundësi”, tha Latifi.