Tregtarët në tregun e automjeteve në Fushë Kosovë kanë shpreh pakënaqësitë e tyre. Ligji i ri për automjete i cili ka hyrë në fuqi në fund të muajit qershor të këtij viti ka sjellë shumë ndryshime në regjistrimin e automjeteve, kushte mbi pronësinë e automjeteve, kushte rreth importit të automjeteve të përdoruar e deri tek ndërrimi i targave.
Derisa qytetarët ankohen për humbjen e regjistrimit të automjeteve në momentin e blerjes, edhe përkundër faktit që tek blerësi automjeti ka me muaj të tërë, sipas përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, gjithçka është në rregull me ligjin.
Rrahim Pacolli nga Byroja Kosovare e Sigurimit ka thënë se në bazë të statistikave në Kosovë, aktualisht qarkullojnë mbi 315 mijë vetura të regjistruara, ku mesatarja e vjetërsisë së tyre është 18 vjet.
“Me ligjin e ri për automjete me rastin e regjistrimit të automjetit, pronari i mjetit nuk mund ta bëjë regjistrimin apo vazhdimin e regjistrimit të mjetit me veprim motorik, as ndërrimin e pronarit, pa e bërë shlyerjen e gjobave për kundërvajtje në trafikun rrugor”. Përdoruesi i mjetit ose bartësi i së drejtës së përdorimit të mjetit mund të jetë vetëm personi i cili posedon patentë shoferin valid për kategorinë e mjetit që përdoret.”, tha Pacolli përmes përgjigjeve elektronike.
Sipas tij, me hyrjen e këtij ligji në fuqi ka ndryshuar edhe çështja e regjistrimit të veturës më rastin e ndërrimit të pronësisë.
Ai shtoi se pasi që të ndërrohet pronësia e automjetit, shitësi i automjetit obligohet që ta çregjistrojë automjetin, por edhe pasi që pronari i automjetit dëshiron që ta çregjistrojë automjetin e ri, me këtë ligj i jepet e drejta që të ruajë targat për një vit, për automjetin e njëjtë.
Ndërsa të atakuar me këtë ligj janë tregtarët e automjeteve.
Tregtarët në tregun e automjeteve në Fushë Kosovë kanë shpreh pakënaqësitë e tyre, duke thënë se me ligjin e ri kanë shumë më shumëv ështirësi për të shitur një veturë.
Tregtari Istref Mazreku, i cili merret me shitjen e veturave që 25 vite thotë se ligji, i cili u ka ardhur u ka sjellë edhe probleme të shumta, kjo për shkak se qytetarët refuzojnë të blejnë vetura.
Sipas kësaj, ai thotë se askush nuk dëshiron të blejë vetura pasi që deri në 400 euro kushton regjistrimi për herë të dytë.
Ndërsa, Faton Gashi, po ashtu tregtar, thotë se problem i tyre tash e një kohë është bërë ligji për regjistrim të veturave, ku pas shitjes nuk i njihet regjistrimi. Sipas tij, kjo është plaçkitje që iu bëhet qytetarëve.
Në ndërkohë, zëvendës ministri i Punëve të Brendshme, (MPB) Valdet Hoxha, ka thënë se ligji për automjete është i sponsorizuar nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës, por që MPB-ja implementohet si i tillë me të gjitha dispozitat ligjore.
Hoxha tha se ky ligj i ka kaluar gjitha filtrat, ku është votuar edhe nga ana e përfaqësuesve të popullit, por ai nuk e përjashtoi si mundësi që ligji si i tillë edhe të ndryshohet në nene të caktuara. Ai tha se në të ardhmen do të marrin hapa të nevojshëm për ta sanuar këtë gjendje.
Bexhet Shala, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KLMDNJ), thotë se ligji është shumë i mirë dhe vendi ka pasur nevojë për një ligj të tillë.
Ai ka thënë se nuk ka ndonjë shkelje, përveç se kushtëzimi për regjistrim të veturës për pagesën e gjobave. Ai tha se nuk e kanë në planë të kërkojnë ndryshim të ligjit.
Ndërsa, Rrahim Pacolli nga Byroja Kosovare e Sigurimit, ndryshimi i ligjit për automjete i ka prekur edhe poseduesit e motoçikletave.
Motoçikletat me kapacitet mbi 125 cm kubik, nuk mund të regjistrohen nëse pronari nuk posedon patentë shoferë të kategorisë “A”.
Ai po ashtu ka treguar se ligji i ri parasheh ndëshkime për personat që i ndryshojnë kilometrat e automjetit deri në 10 mijë euro gjobë.
Subjektet e autorizuara për kontrollim teknik, me rastin e kontrollimit teknik të mjeteve janë të obliguara të bëjnë evidentimin e kilometrave të kaluara të mjetit – leximin e pedometrit.
Sipas tij, dënimet janë paraparë edhe për qytetarët që nuk kujdesen për targat e automjeteve dhe ndërrimin e tyre.
Pronari i mjetit duhet t’i ndërrojë targat e regjistrimit me të reja nëse njëra nga targat i ka humbur, dëmtuar, shkatërruar, amortizuar deri në atë masë që bëhet e papërdorshme.