Rezultati i zgjedhjeve lokale në Beograd nuk e pasqyron vullnetin e lirë të votuesve që jetojnë atje, për shkak të shkallës dhe llojit të keqpërdorimeve zgjedhore gjatë votimit në Beograd më 17 dhjetor, vlerësoi të hënën vëzhguesi zgjedhor serb, CRTA.
Rasha Nedeljkov, drejtori i CRTA-s, tha gjatë një konference për media të hënën se misioni vëzhgues është shumë i shqetësuar për cilësinë e zgjedhjeve parlamentare, duke vlerësuar se në ditën e zgjedhjeve janë përshkallëzuar shkeljet drastike të të drejtave të votuesve, ligjit dhe institucioneve.
“Janë shënuar parregullsi në pesë për qind të vendvotimeve për zgjedhjet parlamentare dhe madje në nëntë për qind të vendvotimeve për zgjedhjet e Beogradit, gjë që ka kompromentuar drejtpërdrejt rezultatet e zgjedhjeve në ato vendvotime”, tha Nedeljkov.
Nedeljkov theksoi se në orët e pasdites dhe të mbrëmjes të ditës së zgjedhjeve ka pasur një “tendencë të qartë të rritjes së dukshme të numrit të fletëvotimeve të mbushura paraprakisht, dhe pranisë ilegale të palëve të treta në ato vendvotime, veçanërisht në Beograd”.
“Gjithashtu, deri në fund të ditës në Beograd, numri i vendvotimeve ku janë regjistruar raste të nënshkrimit të dikujt në listën e votuesve në vend të një votuesi është trefishuar në krahasim me gjysmën e parë të ditës”, nënvizoi Nedeljkov.
Vendvotimet, shton Nedelkov, janë mbyllur në rrethanat e rritjes shqetësuese të numrit të rasteve të mbajtjes së evidencës paralele brenda dhe jashtë vendvotimit, sjellje të organizuar të votuesve dhe qarkullim të dyshimtë të veturave përreth vendvotimit.