Respektimi i Ligjit të Punës, i rregullit kundër informalitetit dhe mbrojtja e mjedisit. Këto janë tri komponentët për të cilat angazhohet Rrjeti për Përgjegjësi Shoqërore Korporative – CSR Kosova.
Kështu u tha në “Darkën e Rrjetizimit”, të organizuar sonte nga CSR Kosova, ku merrnin pjesë drejtues të kompanive vendore e ndërkombëtare, si dhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Visar Kelmendi, kryetar i Bordit të CSR Kosova, tha se ky takim, krahas zgjerimit të rrjetit të anëtarëve, ka dhe qëllim të sensibilizojë.
“CSR Kosova ka nisur rrugëtimin e saj para më shumë se 6 vitesh, për t’i shtrirë parimet e saj në Kosovë dhe korporata. Jemi këtu për dy qëllime: E para që të marrim mbështetje dhe nga pushteti, dhe këtë e dëshmon dhe pjesëmarrja e kryeministrit dhe ministrave; ne luftojmë për të mbrojtur ambientin dhe me ndihmën tuaj të sensibilizojmë opinionin, dikasteret qeveritare, organizatat e ndryshme që na ndihmojnë neve”.
“Qëllimi i dytë është që sonte, përveç anëtarëve, kemi edhe anëtarë të tjerë këtu që së shpejti do të jenë anëtarë të fuqishëm të rrjetit tonë dhe t’i bindim këto kompani për 3 komponentë: respektimi i Ligjit të Punës, respektimi i rregullit kundër informalitetit dhe e treta mbrojtja e mjedisit”, tha Kelmendi.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili mori pjesë në këtë ngjarje, tha se CSR Kosova dhe sipërmarrësit që janë pjesë e këtij rrjeti kanë për qëllim ndihmimin e Kosovës në respektimin e ligjeve, mbrojtjen e mjedisit dhe luftimi i dukurive të këqija.
“Nuk kam qenë në dijeni për CSR Kosova. Nuk kam qenë i edukuar për këtë temë”, u shpreh Haradinaj.
Ai theksoi se në “ofensivën ekonomike të pasluftës” në Kosovë, qëllimi ka qenë te fitimi, një fitim i shpejtë e me çdo kusht për të krijuar një kapital. “Por, sipërmarrësit krahas misionit të tyre për vlerë të re në ekonomi, kanë ndjenjë përgjegjësie dhe dëshirojnë të ndihmojnë Kosovën për një vetëdije të ngritur për të bërit biznes, për respektimin e ligjeve, luftimin e dukurive të këqija, mbrojtjen e ambientit e shumëçka tjetër”, shtoi kryeministri.
Maria Alexiou, drejtoresha e CSR-së në Greqi, foli për fillimet e Rrjetit për Përgjegjësi Shoqërore Korporative të Evropës (CSR Europe), para 30 vitesh.
Alexiou theksoi rëndësinë që bizneset private të angazhohen në promovimin e praktikave të mira të Përgjegjësisë Shoqërore Korporative.
Mbrojtja e të drejtave njerëzore, të mbrojtura ndërkombëtarisht, eliminimi i punës së fëmijëve, promovimi i projekteve ekologjikisht miqësore, eliminimi i diskriminimit të lidhur me punë apo profesion dhe promovimi i vlerave anti-korruptive janë disa prej fushave që Rrjeti CSR ka për qëllim t’i adresojë.