Çuçi: Nga lehtësimi i lëvizjes me Kosovën do të përfitojnë rreth 300 mijë banorë

Prishtinë | 12 Pri 2023 | 17:21 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Punëve të Brendshme në Shqipëri, Bledi Çuçi, ka thënë se është e rëndësishme marrëveshja e nënshkruar sot mes Shqipërisë dhe Kosovës që përmirëson më tej regjimin e lëvizjes së lirë ndërkufitare për banorët e zonave në të dy anët e kufirit.

Çuçi thotë se nga ky lehtësim i lëvizjes do të përfitojnë rreth 300 mijë banorë nga të dyja anët.

“Banorët e zonave të brezit kufitar Shqipëri-Kosovë do të lëvizin lirshëm 30 km në brendësi të Shqipërisë dhe 30 km në brendësi të Kosovës ku shtetasit në të dyja anët të përfitojnë shërbime të njëjta në Kosovë dhe në Shqipëri, sikur të jenë shtetas përkatësisht të të dyja shteteve”.

“Me homologun Xhelal Sveçla nënshkruam një protokoll që përmirëson më tej marrëveshjen e lëvizjes së lirë që arritëm vitin e shkuar duke mundësuar në këtë mënyrë edhe lejimin e lëvizjes me automjete. Besoj se kjo është një lehtësi tjetër shumë e madhe për rreth 300 mijë banorë të zonave pranë kufirit të të dy vendeve” ka shkruar Çuçi në Facebook.

Të ngjashme