D4D: Fatkeqësia më e madhe është se gratë janë vrarë me urdhër mbrojtës

Prishtinë | 30 Pri 2024 | 17:58 | Nga Natyra Salihaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Organizata Demokraci për Zhvillim (D4D) organizoi Sallonin e së Martës me temën “Kuadri ligjor dhe pavarësia ekonomike: Rëndësia së mbrojtjes ligjore, politikave dhe shërbimeve mbështetëse në garantimin e sigurisë ekonomike të grave dhe sigurimin e rrugëve për t’i shpëtuar abuzimit”, raporton Ekonomia Online.

U theksua se rastet e fundit të dhunës në familje të cilat përfunduan me vrasje po ndodhin si arsye e ngritjes së vetëdijes së gruas për të drejtat e saj.

Adelina Sahiti, drejtoreshë e Mirëqenies Sociale në komunën e Prishtinës, theksoi se ligjet sa i përket diskriminimit ligjor duhet vënë në funksion për të emancipuar shoqërinë tonë.

“Ligjet e lehtësojnë dhunën me masë të madhe, marrë parasysh ndonjë individ të keqtrajtimit, ne mundohemi që përmes legjislacionit të bëjmë programe dhe veprime konkrete që e lehtësojnë jetën sociale të qytetarëve. E kemi të rëndësishme që nga ligjet t’i vëmë në funksion të bëjmë veprime konkrete të bëjmë një shoqëri më të emancipuara. Shumë nga gratë, kanë një vetëdije për të dëshmuar dhe treguar se kanë një vend meritor, po ashtu për t’iu ndihmuar edhe grave tjera që ato i shohin”, tha Sahiti.

Projekt menaxherja nga instituti, D4D, Judita Krasniqi, tha se grave në vendin tonë iu mungon siguria.

“Kosova është një demokraci ligjore ka një kornizë ligjore më të avancuar. Mekanizmat t’i bëjmë më llogaridhënës si ta ngrisim nivelin e përgjegjshmërisë të gjithë atyre zyrtarëve që trajtojnë dhunën ndaj grave nis nga policia, gjykata, prokuroria. Vitet e fundit kemi pa që fatkeqësia më e madhe është se të gjitha gratë që janë vra, janë vrarë me urdhër mbrojtës. Siguria nuk është arritur, kjo është dekurajuese”, tha Krasniqi.

Ajo shtoi se Ministria e Arsimit ka dhënë bursa për vajza, për dallim nga ministritë e kaluara. Në vitin 2023 rreth 1300 vajza kanë marrë bursa.

Ndërsa, kryeshefja ekzekutive për barazi gjinore, Edi Gusija, tha se Instituti D4D ka trajtuar tema, për t’ju treguar grave se puna nuk ka të bëjë vetëm me çështjen e pagës por edhe për zhvillim personal.

“Kemi dasht me kalu deri te ato gra që nuk kanë pas zhvillim vetëm në krijim të familjes. A kanë mundësi gratë të punojnë nëse duan në Kosovë? Është vendim kolektiv, nëse një grua do shkojë në punë dhe jo vendim personal”, tha Gusija.

E njëjta shtoi se dhuna ndaj grave që është bërë një problem në shoqërinë tonë po ndodh, si arsye për ngritjen e vetëdijes së gruas për të drejtat e saj.

“Gruaja duhet të vendos për zhvillimin e saj ekonomik, një rizgjim ose rritje të vetëdijes së grave. Dhuna që po ndodh është për shkak të rritjes së vetëdijes së grave për të drejtat e tyre”, tha ajo.

Të ngjashme