Në kuadër të projektit “Luftimi i dezinformatave dhe rikthimi i besimit të qytetarëve në media”, është mbajtur konferenca me temën: Raportimi i lajmeve nga portalet online – rrjetet sociale dhe ndikeshmëria tek publiku, organizuar nga Demokraci për Zhvillim (D4D), me mbështetjen e NDI-së dhe USAID në Kosovë.
Në këtë tryezë u prezantuan gjetjet kryesore të monitorimeve të portaleve online dhe rrjeteve sociale gjatë periudhës 1 janar – 31 mars. Të pranishmit vlerësuan se mjedisi medial në Kosovë është i ndjeshëm ndaj numrit të madh të artikujve që përmbajnë çrregullime të informacionit siç është gjuha e urrejtjes dhe tituj të ekzagjeruar.
Të gjeturat kryesore të këtij hulumtimi tregojnë që gjatë kësaj periudhe janar – mars ka pasur një numër të madh të lajmeve të Ndikimit nga Jashtë, ku pjesa pjesa më e madhe e këtij raporti përfshijnë narrativat rreth agresionit të Rusisë mbi Ukrainën dhe ndikimit të saj në marrëdhëniet rajonale – sidomos ato mes Kosovës dhe Serbisë.
Judita Krasniqi – Hajdari, hulumtuese dhe menaxhere e projekteve theksoi se Instituti D4D mbetet i përkushtuar në përforcimin e demokracisë në Kosovë si pjesë e shoqërisë civile duke besuar në misionin e saj dhe duke punuar fuqishëm në përkrahjen e punës dhe pavarësisë së mediave si indikator i demokracisë në vend. Ndërsa, Drenusha Canolli, menaxhere e projektit theksoi se sfidë e përgjithshme, si në raportet e kaluara mbetet shpërndarja e lartë artikujve dhe postimeve me çrregullime të informacionit që kanë për bazë gjuhën e urrejtjes, ofendimet dhe shpifjeve.
Xhemjal Rexha nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), theksoi se është shumë shqetësueses se kemi një numër të madh të çrregullimit të informacionit në portalet tona online e që ndikojnë në kategori të ndryshime të shoqërisë, mirëpo që mediat duhet të kenë një vetrregullim për publikimin e informimit. Kurse, Mergim Lushtaku nënkryetar i Komisionit për Media, theksoi se Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), do të duhet ta rregullojë çështjen e portaleve online dhe të mediave në përgjithësi.
Në këtë tryezë u diskutuan të gjeturat kryesore të monitorimit tre mujor të lajmeve nga shembujt në gjuhen shqipe dhe gjuhen serbe.
Në këtë projekt janë monitoruar 97 për qind e popullatës që kanë qasje në internet, ndërsa u thanë se numri më i madh i lajmeve ka qenë në pikun e nisjes së luftës në Ukrainë.
Drenusha Canolli, menaxhere e projektit, tha se theks të veçantë i kanë dhënë lajmeve që vijnë nga jashtë dhe krizës në Ukrainë.
“Kur flasim për Kosovën në vitin 2021 shpejtësia e përdorimit të internetit nga popullata ka shkuar deri në 80 për qind. Theks i veçantë janë edhe lajmet që vijnë nga jashtë. Janë monitoruar edhe lajmet në Rusi e Ukrainë. Gjatë monitorimit janë ruajtur materialet me screnshot. 76 portale janë monitoruar. Krejt ky numër i madh i lajmeve është bërë në pikun kur ka filluar lufta Ukrainë-Rusi. Gjatë zgjedhjeve, numri më i madh i lajmeve është ku ka ç’rregullim të informacionit. Ndikimi i lajmeve nga jashtë janë më të mëdha dhe shpërndahen shumë më shpejt dhe shpërndarja e informacioneve është shumë e madhe. Mizogjenia dhe dhuna online ndaj grave ku më së shumti janë atakuar gratë. Ka qenë një far atakimi në mes të politikanëve ndërmjet njëri-tjetrit”, tha ajo.
Judita Krasniqi-Hajdari, nga D4D, tha se synim kanë ndikimin përmirësimin në qeverisjen dhe kulturën demokratike në Kosovë. Tha se ekziston numër i madh i përdoruesve të rrjeteve sociale që nuk kanë kontrollim të informacioneve.
“Përmes këtij hulumtimi, D4D ka për qëllim adresimin e dukurive negative në shoqërinë tonë. Një nga kuotat është që informacioni është pushtet dhe ç’rregullimi i informacionit është abuzim me pushtetin. Çështja e informimit të drejtë është shumë me rëndësi. Kosova ka numër të madh të të rinjve që janë përdorues të rrjeteve sociale dhe ka numër të madh të moskontrollimit të informacioneve. Informacioni është armë shumë e fuqishme dhe ndikon në jetën e qytetarëve”, tha ajo.
E kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, tha se nuk e kanë të qartë shkallën e përhapjes së këtyre lajmeve në publik.
“Për ta parë me shifra është alarmuese përhapja e këtyre lajmeve. Mediat jetojnë nga kriza të formave të ndryshme që e shtojnë ndjeshëm qarkullimin që përkthehet në përfitim të klikueshmërisë. Një pjesë e madhe e mediave i kanë botuar edhe të paverifikuara lajmet. Duhet të bëhet trajnimi në shkolla. Ka tendenca për të ndryshuar ligjin e KPM por ne e kundërshtojmë”, tha Rexha..
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, tha se dukuria e keqinformimit nuk është vetëm në Kosovë.
“Nuk ka ballafaqim vetëm Kosova me këtë pjesë të dezinformonit të qytetarëve. Dezinformi është i dëmshëm dhe duhet të shikojmë si duhet ta ndalojmë. Dhe në këtë drejtim është roli i çdo qytetari dhe politika të mundohet të rregullojë zvogëlimin e keqinformimit. Mediat online kanë hapësire me të madhe të kenë lajme që dëmtojnë qoftë aspektin politik, biznesin. Lexushmëria në Kosovë është shumë e vogël dhe njerëzit krijojnë opinion bazë titujve dhe nuk lexojnë përmbajtjen, dhe në këtë rast krijojnë opinion të keq”, tha Lushtaku.