Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), së bashku me Qendrën për Barazi dhe Drejtësi (QBD), kanë publikuar raportin “Analizë e rezultateve të zgjedhjeve lokale dhe nacionale 2025 nga perspektiva gjinore”, raporton Ekonomia Online.
Ky raport ka evidentuar pjesëmarrjen e politikaneve gra e që u tha se është shifër e ulët në krahasim me burrat, derisa është kërkuar barazi gjinore në procesin zgjedhor të 7 qershorit.
Rezarta Krasniqi, nga ky institut përmendi zgjedhjet lokale dhe numrin e grave që kanë kandiduar për kryetare në komunat e vendit.
“Siç e dini, këto janë zgjedhjet vendore, të cilat i kemi kaluar. Këto zgjedhje të fundit, thjesht kanë treguar, siç e keni kaluar, në ato 15 komuna, kemi pasur gra që kanë garuar, ndërsa në disa prej komunave të tjera, nuk kemi pasur asnjë grua kandidate për kryetare komune, dhe në bazë të dhënieve, besoj se i kemi pasur vetëm 10% gra të nominuara, të cilat kanë qenë të angazhuara nga subjektet politike për të filluar garën për kryetare komune. Dominimi i burrave në procesin e kandidimit që tregon një sfidë të vërtetë të promovimit të grave brenda subjektit politik, siç është edhe në nivelin e tyre, ndërsa, grupi i dytë i cili tregon pas zgjedhjeve, kishim 37 kryetarë komunash burra, të zgjedhur nga qytetarët dhe kemi vetëm një grua kryetare të një komune. Ajo tregon se përfaqësimi është i ulët në shumicën e rasteve dhe është një mbështetje reale, por nuk mund të themi që është mbështetje reale e qytetarëve, nuk është vullneti i qytetarëve, por është çfarë iu servohet qytetarëve. Andaj, edhe kjo reflekton në procesin pastaj të rezultateve”, tha Krasniqi.
Ajo gjithashtu përmendi ligjin për barazi gjinore duke thënë se barazia gjinore arrihet vetëm atëherë kur ka përfaqësim 50 me 50.
“Kandidimet e subjekteve politike dhe mbështetja elektorale, i kemi listuar subjektet politike nga ajo se sa gra kanë nominuar në këtë drejtim, prijnë subjektet politike AAK-ja dhe PDK-ja, të cilat kanë kandiduar nga tre gra për kryetare komuna në zgjedhjet e kaluara, dhe pastaj janë të niveleve të tjera, ku kandidatë burra kanë marrë gjithsej 98% të votave të përgjegjshme, ose 820.000 vota, ndërsa gratë vetëm rreth 16.000 vota që i vjen 2% të totalit të votave në bazë të rezultateve. Përveç përfaqësimit të ulët të kandidimit, gratë kanë edhe një sfidë tjetër, të cilat përballen, që është mungesa e kësaj mbështetjes, nga ana e elektoratit, si dhe mungesën e mbështetjes nga subjektet politike, që është një temë e cila kërkon një vëmendje. Ne gjithashtu i gjithë procesi mund të vjen nga vetë subjektet politike, ne e përmendëm edhe më herët kuotën, mirëpo kuota është bazë nga e cila nuk mund të biem, por vullneti politik është ai që mund ta çojë përpara. Edhe në ligjin për barazi gjinore, edhe në pjesën e ligjit të zgjedhjeve, thuhet se barazia gjinore, atëherë arrihet kur kemi përfaqësim 50 me 50 të barabartë, ndërsa 30 që është minimumi nga i cili ne nuk mund të biem poshtë, mirëpo zakonisht shkohet në minimum nga ana e subjekteve politike. Dhe nga nominimet, nuk kemi vazhduar më shumë me prezantimin te pjesa e kandidatëve gra, meqë kanë qenë vetëm 20, ndërsa në këtë analizë keni edhe të dhëna të tjera, mirëpo tregon se përfaqësimi i grave për kryetare komuna është shumë josimbolik dhe është shumë joproporcional, ndaj kandidimit me burra dhe është shumë larg arritjes së barazisë gjinore në këtë drejtim”, ka thënë ajo.
Sipas saj barriera të ndryshme vazhdojnë të ekzistojnë edhe edhe brenda strukturave të subjekteve politike për avancimin e grave në këtë drejtim.
“Barrierat e ndryshme vazhdojnë edhe brenda strukturave të subjekteve politike për avancimin e grave në këtë drejtim, si dhe në pozitat ndihmëse, edhe brenda subjektit, gjithashtu edhe brenda , komunave në të cilat veprojnë subjektet politike. Shumë shpesh është diskutuar në vitin e kaluar që 20 gratë, të cilat kanë qenë në pesëmbëdhjetë komuna, duke u dalluar si kryetare komunash, kanë qenë pikërisht në komunat që kanë pasur mundësi shumë të vogla për t’u zgjedhur si kryetare, andaj kjo ka shkuar gjithashtu edhe me përfaqësimin e votës në të njëjtin drejtim, sepse subjektet politike atje ku e kanë pasur bastionin më të fortë, kur e dinë që e kanë elektoratin më të organizuar, e dinë që marrin më shumë vota, zakonisht kanë nominuar emra të burrave për kryetarë komune dhe nuk kanë nominuar gra në këtë drejtim. Andaj edhe në komunat kryesore, në komunat e mëdha, e kemi pak gra që kanë kandiduar në këtë drejtim, kryesisht i kemi në komuna të vogla dhe komuna më të shpërndara, ku partitë nuk e kanë shumë të fortë bastionin e marrjes së votave”, tha Krasniqi.
Kurse, Ronald Goldberg nga ambasada holandeze në Kosovë u shpreh se edhe pse gratë vazhdimisht konkurrojnë në procese politike akoma nuk janë të barabarta me burrat.
“Ky raport është shumë i qëlluar në kohë, duke pasur parasysh se Kosova po shpreson për zgjedhje të reja së shpejti, dhe unë mezi pres diskutimin me përfaqësuesit e partive politike që janë sot me ne. Jam i etur të mësoj më shumë rreth gjetjeve të raportit mbi zgjedhjet lokale dhe parlamentare të vitit 2025 në Kosovë një reflektim i bazuar në dëshmi, si i përparimit të arritur, ashtu edhe i sfidave që ende mbeten.
Ndërsa gratë vazhdojnë të marrin pjesë në mënyrë aktive dhe konkurruese në proceset politike, barriera strukturore ende pengojnë përfaqësimin e plotë dhe të barabartë në institucionet vendimmarrëse. Dhe më lejoni ta them qartë: kjo nuk është vetëm situata në Kosovë, por një realitet që haset në shumë vende të botës”, tha Goldberg.
Gjithashtu Goldberg tha se raporte të tilla u ofrojnë politikanëve dhe partive politike për të hartuar plane të reja në të ardhmen.
“Raporte të tilla u ofrojnë politikëbërësve, partive politike, institucioneve përkatëse, institucioneve zgjedhore dhe organizatave të shoqërisë civile mjetet e nevojshme për të identifikuar boshllëqet dhe për të hartuar ndërhyrje të synuara. Shpresoj fuqishëm që rekomandimet e bëra nga Demokracia për Zhvillim në këtë raport, të bazuara në punën kërkimore, të merren parasysh nga të gjitha palët e përfshira në fushën politike”, tha Goldberg
Ai u shpreh se demokracitë janë të fuqishme kur gratë dhe burrat janë barabartë të përfaqësuar dhe të fuqizuar në jetën publike.
“Demokracitë janë më të forta kur të gjithë qytetarët, gratë dhe burrat njësoj janë të përfaqësuar në mënyrë të barabartë, trajtohen në mënyrë të barabartë dhe janë të fuqizuar në mënyrë të barabartë për të formësuar jetën publike. Duhet gjithashtu të pranojmë se kuotat ligjore, ndonëse të rëndësishme, nuk mund të jenë destinacioni final. Ato janë një pikë hyrëse, jo pika përfundimtare e barazisë”.
“Përparimi i qëndrueshëm kërkon investim në zhvillimin e lidershipit politik, mentorim, edukim qytetar, reforma institucionale dhe transformimin e vetë kulturës politike. Në këtë drejtim, partneritetet ndërmjet donatorëve ndërkombëtarë, institucioneve lokale, organizatave të udhëhequra nga gratë dhe shoqërisë civile mbeten të domosdoshme. Këto partneritete krijojnë hapësira ku zërat e grave amplifikohen, ku lideret e ardhshme mbështeten dhe ku standardet demokratike forcohen vazhdimisht. Ky raport na kujton se barazia e vërtetë nuk arrihet vetëm përmes përfshirjes formale, por përmes ndikimit kuptimplotë dhe mundësive të barabarta brenda proceseve politike”, tha Goldberg.



