Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka deklaruar se Prishtina duhet të ndalojë provokimin e popullit serb dhe Serbisë.
Ai, për Radio Televizionin e Serbisë, ka theksuar se shqiptarët në Kosovë nuk janë më në gjendje të kërcënojnë askënd, “veçanërisht serbët dhe nuk janë më miq të bashkësisë ndërkombëtare”.
Kryediplomati serb arrestimin e djeshëm të pesë serbëve e ka cilësuar si një akt armiqësor të Kosovës që sipas tij nuk kontribuon në krijimin e një atmosfere pozitive për dialogun.
” Ne duhet të gjejmë një bazë më të fortë për progresin në dialog, nëse shohim se çfarë po ndodh në Prishtinë, do të shohim se atmosfera e kaosit mbizotëron, ku një degë e qeverisë ose një grup individësh nuk e di se çfarë bën dikush tjetër. është një bojkot i dialogut, sepse ata nuk duan që dialogu të ketë sukses dhe mendojnë se dikush do ta detyrojë Serbinë të njohë pavarësinë e Kosovës”, tha Daçiq.
Ai shtoi se pas kërcënimit të Beogradit, serbët e arrestuar u liruan.