Daçiq: Ndërkombëtarët po na bëjnë presion rreth njohjeve të Kosovës

Prishtinë | 05 Nën 2018 | 10:31 | Nga Ekonomia Online

Ministri i jashtëm serb Ivica Daçiq ka thënë se vendet perëndimore po i kërkojnë Serbisë të pezullojë veprimet diplomatike të cilat sipas tij me sukses po arrijnë të ndikojnë në shtetet që e kanë njohur Kosovën, që të rishqyrtojë atë pozicion dhe të anulojë këto veprime, sepse kjo dëmton dialogun me Prishtinën.

“Shqiptarët u ankuan te perëndimorët për mua dhe kërkojnë nga Perëndimi për të ndaluar me këto veprime, sepse kjo po irriton shqiptarët dhe dialogun, ndërsa lobimi i tyre për njohje të reja dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare janë në rregull”, ka thënë Daçiq për Novosti, përcjell Telegrafi.

Ndërsa duke folur për vendimin e Grenadës për të tërhequr njohjen e Kosovës, Daçiq ka thënë se kjo është një tjetër rezultat i madh i Serbisë, “jo vetëm në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës, por edhe në atë se ky problem mund të zgjidhet vetëm me dialog dhe se kjo çështje nuk është zgjidhur”.

“Edhe gjatë votimit për pranimin në Interpol, do të shihet se kjo çështje nuk është zgjidhur dhe se lista e Prishtinës për numrin e shteteve që e kanë njohur Kosovën është e rreme. Meqë paskan kaq shumë shtete që e kanë njohur, atëherë ata mund të pritet që të pranohen në Interpol dhe unë mund të garantoj se kjo nuk do të ndodhë”, ka thënë tutje Daçiq.

Ndërsa sa i përket kundërshtimeve në Prishtinë, sipas të cilave Grenada dhe Dominika e kanë tërhequr vendimin për njohjen e Kosovës, Daçiq thotë se kjo do të shihet kur të votohet në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit.

Ndryshe, shteti i Kosovës i ka mohuar të gjitha pretendimet e ministrit serb të Punëve të Jashtme, që ndonjë shtet ka tërqekur njohjen për Kosovën.

Këshilltari i Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj, ka thënë për Telegrafin se këto janë shpifje të radhës së Serbisë ndaj Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme