Daçiq: Asociacioni është arritja më e madhe pas vitit 1999

Prishtinë | 19 Mar 2023 | 22:54 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, thotë se presidenti serb Aleksandër Vuçiq, gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Ohër të Maqedonisë Veriore të shtunën ka arritur ti mbrojë interesat e shtetit, derisa ka shtuar se themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, “është arritja më e madhe pas vitit 1999”.

“Është institucioni i parë serb në Kosovë, prandaj është me rëndësi jetike që të formohet”, tha Daçiç.

Kryediplomati serb potencoi për TV Pink se në takimin e Ohrit është bërë gjithçka në përputhje me politikën shtetërore të Serbisë dhe sigurimin e rrugës së saj të mëtejshme evropiane.

“Kishte rrezik që Serbia të ishte ajo që do të akuzohej për kolapsin e dialogut, ju kujtoj se Albin Kurti këmbënguli për njohje reciproke, deklaroi se kurrë nuk do ta pranonte Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, deklaroi një milion kushte për do formohet”, pohoi ai.

Ai shtoi se Vuçiç vazhdimisht ua ka përsëritur të gjithë ndërmjetësve në negociata se cilat janë vijat e kuqe të Serbisë.

Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në adresimin e tij të parë të drejtuar popullit serb rreth takimit në Ohër tregoi pse nuk e ka nënshkruar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Do të ketë gjëra më të vështira për ne në të ardhmen. Për ne është e rëndësishme që të mos varemi më nga vullneti i mirë i Prishtinës, që është një ndryshim pozitiv, por edhe se sa jemi të gatshëm të bëjmë disa gjëra kur flasim për rrugën evropiane”.

“Pse nuk firmosa? Së pari, sepse Serbia është një vend i njohur ndërkombëtarisht, ajo që ata e quajnë Republika e Kosovës nuk është. Si President i Republikës, edhe deklaratat e mia janë të detyrueshme për vendin”, tha Vuçiç.

Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Të ngjashme