Ministri i jashtëm serb Ivica Daçiq edhe një herë ka shprehur mllefin e tij për shkak të nismës për Rezolutën mbi gjenocidin e kryer nga serbët në Srebrenicë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
“Nuk ka gjenocid që nuk është kryer nga vendet që tani mbështesin Projekt-Rezolutën për gjenocidin në Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por forca mund të bëjë gjithçka”, ka thënë Daçiq, i cili pretendon se sipas konsultimeve jozyrtare në Nju Jork shihet se “nuk kishte konsensus për këtë çështje”.
Daçiq ka thënë se “projekti zero” i rezolutës u prezantua nga Gjermania dhe Bosnja dhe Hercegovina, duke “pyetur” se nëse bëhet fjalë për një përfaqësues të Bosnje-Hercegovinës apo “vetëm për një ambasador të kombësisë boshnjake”.
“Sikur të ishte një serb (i Bosnjës) në Nju Jork, nuk do të kishte asgjë nga kjo rezolutë, apo jo? Sikur të ishte një serb në Strasburg, nuk do të kishte asgjë as nga votimi. Si mund të votojë Bosnja dhe Hercegovina për pranimin e Kosovës në KiE dhe të presë që ne të respektojnë integritetin dhe sovranitetin e tyre territorial”, ka pyetur Daçiq.
Ai gjithashtu ka përsëritur se rezoluta është prezantuar, se në takim nuk është shprehur dëshira për të diskutuar, ndërsa “shumë vende kanë shprehur kundërshtime” për mënyrën e miratimit të këtij teksti.
“Kurrë nuk ka ndodhë që të mos ketë konsensus për çështje të tilla, dhe tani nuk ka. Mendoj se për këtë nuk vlen të diskutohet sepse bëhet fjalë për drejtësinë selektive. Nuk munden vetëm hutit dhe serbët të jenë popuj gjenocidial. Holanda e mbështet këtë rezolutë, kurse Surinami e padit atë për skllavëri”, ka vazhduar Daçiq duke kërcënuar se “huni i ka dy skaje”.
Ai gjithashtu ka thënë se “është shumë interesant se presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski nuk ishte i informuar” se vendi i tij e kishte mbështetur rezolutën për Srebrenicën.