Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka deklaruar se Serbia nuk do të heshtë, pas planeve të autoriteteve të Kosovës sipas mediave serbe, për të ndërhyrë në minierën e Trepçës.
“Të gjithë e dinë mirë se askush nuk duhet të luaj me zjarrin dhe të presë që Serbia të mos reagojë. Serbia do të reagojë”, u tha Daçiq gazetarëve në përgjigje të pyetjeve rreth raporteve se autoritetet kosovare kanë planifikuar që të mësyjnë në kompleksin e minierës së Trepçës.
Daçiq u kërkoi të gjitha palëve të përfshira të jenë të kujdesshëm që të mos provokojnë Serbinë.
Sa i përket operacionit të raportuar të policisë së Kosovës në pjesën veriore, e banuar kryesisht nga serbët dhe e quajtur “unaza e çelikut”, Daçiq tha se Serbia ka paralajmëruar KFOR-n dhe NATO-n se do të ndërhyjë nëse serbët sulmohen në Kosovë, shkruan lapsi.al
“Serbia nuk do të lejojë një sulm ndaj serbëve në veri të Kosovës. Sigurisht, nuk do të lejojmë një sulm (mbi serbët) kudo në Kosovë – por veriu është obsesioni i tyre”.
Ai tha gjithashtu se Serbia nuk do të ishte pjesë e problemit dhe nuk do të bashkohej me Prishtinën në marrjen e vendimeve të njëanshme të ndryshme.
Daçiq tha se platforma e Parlamentit të Kosovës për dialog me Beogradin ishte në fakt kundër dialogut dhe se ishte një ultimatum për Serbinë dhe se Beogradi nuk ka ndërmend të vlerësojë diçka të tillë.