Shtetet anëtarët e Interpol-it janë duke u ballafaquar me lobim të madh nga Prishtina në mënyrë që Kosova të bëhet anëtare e organizatës ndërkombëtare, ka thënë Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq.
Mirëpo, sipas tij, Kosova nuk do të anëtarësohet në Interpol në mbledhjen e muajit nëntor në Dubai.
Daçiq ka thënë se zyrtarët nga Prishtina po u ofrojnë para delegacioneve të huaja për anëtarësim në Interpol, por edhe për të udhëtuar n Dubai për të votuar në favor të tyre.
“Jam i sigurt se në mesin e tyre që u kanë ofruar para, pasi votimi është i fshehtë, do të ketë edhe të atillë që kot u ofrojnë para, sepse do të jenë kundër”, deklaroi Daçiq për “RTS”, përcjell lajmi.net.
“Pasi nevojiten dy të tretat e votave, nuk besoj se Kosova do të kalojë në votim. Nëse do të ishte në pyetje UNESCO, ose ndonjë çështje tjetër politike, menjëherë mund të them se 100 për qind nuk do të ndodhë, por në këtë rast ballafaqohemi me një lobim të madh dhe prezencë të palëve të ndryshme”, u shpreh ai.
Daçiq po ashtu ka thënë se sot ose nesër do të kuptohet nëse Këshilli i Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara do të mbajë seancë në lidhje me gjendjen në Kosovë.
Ai përkujtoi se Kina si kryesuese e re e mbledhjes së Këshillit të Sigurimit në OKB e ka inkuadruar Kosovën në rend të ditës por ka hasur në kundërshtim të disa shteteve të tjera anëtare.
Daçiq po ashtu ka lavdëruar qëndrimin e Spanjës që sipas tij është gjithnjë në mbështetje të Serbisë dhe mbrojtjen e territorit, integritetit dhe sovranitetit të saj.