Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, pret nga vende të fuqishme perëndimore që me presion të ndikojnë në Tiranë e Prishtinë që të heqin dorë nga fushata e përbashkët e lobimit për njohje ndërkombëtare të Kosovës, të paralajmëruar nga u.d e ministrit për Evropërn dhe Politikë të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj.
“Pres nga vende të mëdha perëndimore, po nga ato që bëjnë trysni ndaj nesh që të heqim dorë nga fushata për tërheqjen e njohjeve për Kosovën, të ushtrojnë po aq presion ndaj Prishtinës e Tiranës që të heqin dorë nga kjo ide”, i ka thënë Daçiq gazetës “Blic” të Beogradit, transmeton Koha.net.
Sipas Daçiqit “vetëm një veprim i tillë do të ishte parimor dhe i përgjegjshëm”, porse nuk pret që të realizohet.
“Ajo që planifikojnë Prishtina e Tirana është një veprim i mjerë i tyre për të dhënë përgjigje ndaj faktit se më pak se gjysma e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe se vite me radhë asnjë vend i ri nuk ka deklaruar njohje e as që është bërë anëtare e ndonjë organizate ndërkombëtare”, ka thënë Daçiq.