Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, beson se SHBA-ja do të mbështesë marrëveshjen e Beogradit dhe Prishtinës, dhe se tani sipas tij është një moment i favorshëm për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, njofton Klan Kosova.
Ai kujtoi se Serbia më herët kishte thënë se nuk do ta vazhdonte dialogun pa hequr taksën.
Daçiq për mediat në Serbi tha se është kundër vazhdimit të dialogut derisa të mos hiqet taksa ndaj mallrave serbe, e vendosur nga vitin e kaluar.
Sa i përket idesë së ndryshimit të kufijve dhe se e kujt ishte ideja për një gjë të tillë, Serbisë apo SHBA-së, Daçiq tha se nuk kishte sinjal nga SHBA.
“Nuk është një sinjal nga Amerika. Nuk mund të thuhet se Amerika është në favor të këtij parimi”.
Ai foli për atmosferën në mbledhjen e mbajtur kohët e fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën dhe sipas tij vendet që e kanë njohur Kosovën ishin çuditërisht të “mprehtë” në aspektin e shpenzimeve, të tilla si Belgjika, Peru, Bregu i Fildishtë.
Daçiq është shprehur i bindur se në mesin e zyrtarëve të Kosovës po zhvillohen takime të “turbullta”, edhe pse konfrontimi publik është shmangur.