Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq ka thënë se Surinami e ka tërhequr njohjen për pavarësinë e Kosovës.
Ai ka theksuar se për këtë ka marrë njoftim nga Ministria e Punëve të Jashtme të këtij shteti “pas punës së gjatë dhe shumë bisedimeve”.
“Nota e tërheqjes së vendimit dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës ka arritur më 30 tetor. Ky vendim tregon se duhet provuar, biseduar me të gjithë, nëse mendojmë se Kosova është interes nacional”, ka thënë Daçiq.
Ai ka shtuar se deri në gusht të vitit 2012 më shumë se 80 shtete e kanë njohur shtetin e Kosovës, kurse gjatë kohës së mandatit të tij “vetëm pesë”.
“Kjo tregon se nuk ka marrë fund gjithçka, siç thotë dikush. Nuk jam i sigurt nëse Prishtina do ta publikojë këtë lajm. Kjo është ngjarje shumë e rëndësishme”, ka thënë ai.
Sipas tij, ky vendim nuk është precedent, pasi që ka ndodhur edhe më herët, por është rast i rrallë.
“Në rastin e Kosovës kjo ka qenë me Sao Tome dhe Principe, pas ndryshimit të pushtetit. Nuk e kemi bërë këtë me para, para nuk ka, as me presion, s’kemi pse të bëjmë presion, por duhet të jemi konsistent në qëndrimet tona. Me vjen keq që Kosovën e kanë njohur shumë shtete që i kishim mike gjatë kohës së Josip Broz Titos, por ne më shumë jemi marrë me armiqtë”, ka thënë Daçiq.