Daçiqi e pranon se Serbia e propozoi “Ballkanin e Hapur”

Prishtinë | 20 Dhj 2021 | 11:11 | Nga Ekonomia Online

Kryeparlamentari serb, Ivica Daçiq ka thënë se iniciativa e “Ballkanit të Hapur” ka ardhur si propozim i Serbisë. Kjo, sipas Daçiqit është edhe arsyeja pse disa vende po refuzojnë t’i bashkohen kësaj nisme.

“Kundërshtarët e saj janë më shumë kundërshtarë të Serbisë sesa vetë idesë, sepse i shqetëson fakti që shteti ynë e ka propozuar atë iniciativë”, tha Daçiq për Tanjug.

Ai tha se “Ballkani i Hapur” mund t’i shqetësojë vetëm “ata që janë kundër bashkëpunimit”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot dhe nesër do të qëndrojë në Tiranë, ku do të marrë pjesë në takimin e radhës me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në kuadër të iniciativcës së “Ballkanit të Hapur”.

Ish-kryeministri shqiptar, Sali Berisha, i ka ftuar qytetarët të protestojnë sot kundër vizits së Vuçiqit në kryeqytetin shqiptar për t’i nënshkruar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, gjashtë marrëveshje.

Iniciativa e “Ballkanit të Hapur” vazhdon të kundërshtohet nga Kosova, e cila e sheh këtë nismë si vegël që Serbia dëshiron ta përdorë kundër Kosovës.

“Ballkanin e Hapur” deri tani nuk e kanë mbështetur publikisht as partitë opozitare në Parlamentin e Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme