Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se është likuiduar Faton Hajrizi, i cili ishte arratisur nga burgu në Kosovë dhe gjatë një ndalimi nga patrulla kishte vrarë një polic serb, në Lloznicë, afër kufirit me Bosnjën.
“Anëtarët e policisë vranë një vrasës policie në afërsi të Loznicës”, tha Daçiq.
Ministri Daçiq ka dalë në vendin e ngjarjes, transmetojmë mediet nga Serbia.
Kujtojmë se Faton Hajrizi qëlloi Nikolla Krsmanoviqin dhe plagosi kolegun e tij Vjekoslav Iliq në Loznicë. Qindra policë serbë ishin vënë në kërkim intensiv.
Mediet serbe kanë publikuar dhe foton e të vrarit.
Siç shkruan Blici serb, Faton Hajrizi ka qëlluar sërish në drejtim të policisë, për çka edhe ka mbetur i vrarë.
Sipas informacione të gazetës, Hajrizi ka tentuar të kalojë lumin Drina dhe të arratiset në Bosnje. Të njëjtit pretendojnë se Hajrizi ishte fshehur në një kompleks të braktisur fabrikash.
Novosti raporton se Hajrizi u vra në rrugën “Drinska 21” në Loznicë, pasi bëri rezistencë. Ai u pikas nga një banor vendas, i cili raportoi se kishte parë një person me përshkrimin e MPB-së në Serbi pranë një ish-pompe të karburantit.