Sulmuesi me prejardhje nga Kosova, saktësisht Drenica, Leon Dajaku, ia ka siguruar fitoren e parë Përfaqësueses U-17 të Gjermanisë në evropianin që ka nisur ditë më parë dhe po mbahet në Angli, shkruan sot Koha Ditore.
Dajaku 17-vjeçar, ka shënuar dy gola në fitoren 3:0 ndaj Përfaqësueses së Serbisë të martën, në xhiron e dytë të Grupit D. Për Gjermaninë kjo është fitorja e parë në evropian pas humbjes nga Holanda (3:0) dhe aktualisht zë vendin e tretë në grup me tri pikë. Serbia renditet e fundit pa asnjë pikë, pasi është mposhtur edhe nga Spanja (1:0).
Dajaku ishte titullar ndaj Serbisë dhe luajti deri në minutën e 77-të, kurse golat i shënoi gjatë pjesëlojës së parë. Fillimisht në minutën e 24-t dyfishoi epërsinë e gjermanëve pas golit të Can Bozdogan (18′) për ta vulosur ndeshjen në minutën e 37-të me një gol tjetër.
Dajaku në një prononcim për gazetën ka deklaruar se është i lumtur që golat e tij gjunjëzuan Serbinë. Pas shënimit të golit të dytë, thotë se i ka shkuar mendja të festojë me “shqiponjë”, por është frikësuar nga reagimet e mëvonshme që mund t’i nxirrnin telashe.