Daka: Këto zgjedhje do të jenë më të kushtueshme

Prishtinë | 30 Dhj 2020 | 08:53 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, ka thënë se në zgjedhjet e fundit të jashtëzakonshme në Podujevë e Mitrovicë të Veriut është mësuar se edhe në kushte të pandemisë mund të organizohen zgjedhjet.

Mirëpo, ajo ka thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme vitin e ardhshëm do të jenë më të kushtueshme. Daka ka shtuar se Kushtetuta nuk lejon që të organizohen zgjedhjet në ditë të ndryshme, pasi ajo thotë se është me Kushtetutë e caktuar që zgjedhjet të mbahen ditën e diele.

“Do të ishte mirë të mund të organizoheshin në ditë të ndryshme, por edhe këtu kemi kufizime ligjore. Kushtetuta në obligon që zgjedhjet të mbahen ditën e diele. Ne nuk mundemi ta ndryshojmë as ligjin e as Kushtetutën. Gjithsesi edhe kjo është një prej temave që është dashur të diskutohet gjatë reformës zgjedhore. Gjatë këtyre zgjedhjeve të fundit kemi marrë disa mësime, këto zgjedhje kanë qenë jashtëzakonisht mirë të organizuara. Kemi pasur thuajse zero incidente. Por, çfarë kemi mësuar është se edhe në kushte të pandemisë mund të organizohen zgjedhjet. Por, gjithsesi këto zgjedhje do të jenë më të kushtueshme. Gjithë ato çfarë duhet, përgatitjet në kohë pandemie, kanë kosto më të madhe financiare. Natyrisht kjo bie në barë të buxhetit të Kosovës. Por, jemi para zgjedhjeve, nuk kemi ndryshe si të veprojmë”, ka thënë Daka në Interaktiv të KTV-së.

23:04
Daka: Gjykata Kushtetuese e ka qartësuar situatën për verifikimin e kandidatëve për deputetë
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se po presin aktgjykimin e plotë nga Gjykata Kushtetuese dhe më pas të veprojnë sipas tij.

Ajo ka thënë se për shkak të aktgjykimit të Gjykatës Supreme para tri vitesh, në zgjedhjet e vitit 2019 KQZ-ja e ka pasur të pamundur të verifikojë kandidatët për deputetë. Por, shton se vendimi i fundit i Kushtetueses e ka qartësuar këtë situatë.

“Ne në vitin 2017 kemi tentuar ta zbatojmë nenin 29, t’i decirtifikojmë ata kandidatë apo mos t’u lejojmë certifikimin atyre kandidatëve të cilët kanë një dënim me aktgjykim të plotfuqishëm për një vepër penale për tri vitet e fundit. Këtë e kemi bërë, 87 kandidatë nuk janë certifikuar por sërish me një aktgjykim të Gjykatës Supreme ne jemi detyruar t’i kthejmë ata kandidatë në listat e subjekteve të tyre politike. Në 2019 kemi qenë në pamundësi ta bëjmë këtë sepse e kemi ditë rezultatin, ne nuk kemi hy fare në verifikim dhe nuk kemi kërkuar fare që ta dijmë a është dikush i dënuar apo jo, për faktin se e kemi pasur një aktgjykim të Supremes që nuk e ka lejuar këtë. Këtë situatë e ka qartësuar Gjykata Kushtetuese dhe ne tani jemi të obliguar ta zbatojmë nenin 29”, tha ajo në Interaktiv të KTV-së.

Daka thotë se do të ketë edhe koordinim më të mirë me Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe se këta të fundit do t’u dërgojnë të dhënat që u kërkohen.

“Ne presim aktgjykimin dhe të shohim se çfarë rekomandime i jep KQZ-së dhe në bazë të tyre do të veprojmë. Gjithsesi do të komunikojmë me Këshillin Gjyqësor të Kosovës”, përfundoi ajo.


Daka: Patjetër duhet të kemi reformë zgjedhore
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se reforma zgjedhore duhet të bëhet patjetër, dhe kushdo që vjen në pushtet duhet ta ketë parasysh këtë.

Ajo ka folur edhe për votat e mërgimtarëve, disa prej të cilave nuk ishin pranuar në zgjedhjet e 6 tetorit 2019.

Sipas saj Gjykata Kushtetuese ka qartësuar një situatë e cila gjithashtu ka qenë e pakëndshme, për KQZ-në por edhe për mërgatën.

“Në fakt Ligji për zgjedhjet e përgjithshme ka qenë jashtëzakonisht i qartë në këtë drejtim dhe na ka urdhëruar që ne të pranojmë votat e diasporës deri në 24 orë para ditës së zgjedhjeve dhe ne edhe ashtu kemi vepruar. Falë një ankese e cila është bërë pastaj dhe ka shkuar nëpër procedura të rregullta Gjykata Supreme në fakt ka urdhëruar që ne t’i pranojmë vendimet pothuajse gati në certifikim që për neve ka qenë jashtëzakonisht e vështirë sepse operacionet zgjedhore janë ashtu të ideuara dhe të përgatitura që të shkojnë një pas një dhe kjo na ka prishë atë hapin të cilin ne e kemi pasur dhe me këtë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese kjo situatë është qartësuar dhe ne tani do të veprojmë ashtu siç ka kërkuar Gjykata Kushtetuese”, ka thënë Daka.

Sipas Dakës edhe rasti i votave të mërgimtarëve tregon se reforma zgjedhore e domosdoshme.

“Ndoshta nuk është e favorshme për qytetarët tanë të cilët jetojnë jashtë Kosovës, por gjithsesi ne jemi të obliguar që të respektojmë të gjitha aktgjykimet ashtu si na vijnë. Të gjitha këto qartazi na tregojnë se patjetër duhet të kemi reformë zgjedhore. Pra, ne si KQZ jemi në pamundësi që ta ndryshojmë ligjin, dhe rregullat tona, sepse ne duhet të veprojmë konform ligjit dhe procedurave të cilat i parasheh ligji. Ne nuk mund të ndryshojmë asgjë e sidomos nuk mund të ndryshojmë asnjë procedurë, në prag të zgjedhjeve. Edhe po të ndërrohen, ato duhet të bëhen shumë më herët në mënyrë që të informohen edhe votuesit edhe subjektet politike”, ka thënë Daka.

Daka shton se kushdo që vjen në pushtet duhet ta bëjë reformën zgjedhore.

“Praktikisht ne i kemi duart e lidhura. U bëj apel të gjitha subjekteve politike që pas këtyre zgjedhjeve kushdo që vjen në pushtet ta ketë parasysh që reforma zgjedhore është duke na pritur tashmë që 10 vite edhe kjo është kërkesë e kohës, jo e imja dhe as e KQZ-së. Ky ligj e ka tejkaluar vetveten dhe ka ardhur koha kur duhet të ndryshohet”, ka deklaruar Daka

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme