Daka: Për rinumërimin total të votave nevojitet arsyetim ligjor

Prishtinë | 10 Mar 2021 | 20:23 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, thotë se dyshimet për manipulim të votave të kandidatëve për deputetë e kanë dëmtuar procesin zgjedhor, por ajo nuk beson se ka arsye për rinumërim total të votave.

Përfaqësuesi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në KQZ, Ibrahim Selmanaj, në mbledhjen e së mërkurës të këtij institucioni që është përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve, kërkoi rinumërim të plotë të votave për të kthyer “kredibilitetin në procesin zgjedhor”.

Në një intervistë për REL Daka thotë se duhet pritur rezultatin e hetimeve të prokurorisë, por ajo është e bindur se manipulimi nuk ka karakter të përgjithshëm.

“Fatkeqësisht kjo (me komisionerët) po na përsëritet”, tha Daka.

Sipas saj, komisionerët e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve (QNR) duhet t’i nënshtrohen një kontrolli më rigoroz të së kaluarës së tyre dhe KQZ-ja nuk ka ndonjë mekanizëm tjetër për të mbrojtur integritetin e votës.

Fakti që Kosova në vazhdimësi po mban zgjedhje të parakohshme parlamentare, sipas Dakës, po ndikon që edhe vetë KQZ-ja të mos jetë në gjendje që të mësojë nga gabimet apo të metat e proceseve paraprake.

Daka thotë se rinumërimi total kërkon arsye të fortë ligjore

“Një ndryshim tashmë dihet, është publik, që një kandidate për deputete e ka humbur atë mandat, mirëpo ndryshime të tjera nuk ka. Pra, ka qenë një grup i organizuar që ka rregulluar rezultatin për një person të caktuar dhe atë vetëm në një numër jashtëzakonisht të vogël të vendvotimeve. Ndërkaq, sa u përket rezultateve të kandidatëve të tjerë, nuk ka ndryshime të dukshme dhe nuk do të ketë ndryshime në renditje të kandidatëve. Unë s’mund të flas, sepse në fund e kam vetëm një votë në KQZ. Gjithsesi, KQZ-ja do ta shqyrtojë edhe kërkesën e AAK-së që të bëhet rinumërimi i të gjitha votave, por duhet dhënë një arsyetim ligjor se pse kërkohet ky rinumërim i të gjitha votave”, tha Daka.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme