Kryesueses dhe anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në fund të muajit mars do t’iu përfundojë mandati.
Kryetarja aktuale e KQZ-së, Valdete Daka, në një prononcim për Indeksonline ka përmendur disa prej të arriturave prej kohës që ajo ka marrë timonin e këtij institucioni.
Ajo ka thënë se puna e tyre e deritanishme është vlerësuar lartë si nga vëzhguesit vendor ashtu edhe nga ata ndërkombëtarë.
Daka është shprehur optimiste se në vazhdim mund të bëjnë edhe përparime më të mëdha.
“Jam jashtëzakonisht e lumtur që kemi arritur në këtë nivel si institucion. Puna jonë, në veçanti organizimi i zgjedhjeve, vlerësohet lartë nga vëzhguesit vendor e ndërkombëtar. Kemi arritur në nivelin që pas çdo procesi zgjedhor të themi se: këto ishin zgjedhje më të mira se të kaluarat. Pra, kjo fletë për një përparim të vazhdueshëm të institucionit. Sigurisht se vazhdoj të besoj se mund të bëjmë përparime edhe më të mëdha në vitet në vazhdim”, ka deklaruar Daka për Indeksonline.
E pyetur se a është e interesuar edhe për një mandat në krye të KQZ-së, ajo ka thënë se do të ishte privilegj për tu rizgjedhur edhe njëherë si kryetare e KQZ-së.
“Do të ishte privilegj për mua të jem sërish drejtuese e KQZ-së”, shtoi Daka.
Ndryshe kësaj përbërje të KQZ-së mandati i ishte vazhduar nga Presidenti i vendit, Hashim Thaçi për 90 ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve lokale