Dakordohen krerët e drejtësisë, formohet Task-forca për krimet e luftës

Prishtinë | 08 Maj 2019 | 11:38 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtuesit e sistemit të drejtësisë në Kosovë kanë marrë vendim për themelimin e Taskforcës dhe Trupit monitorues të Strategjisë së krimeve të luftës, raporton Ekonomia Online.

Bahri Hyseni, kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), paraqiti dy mekanizma që do të ndihmojnë në strategjinë për krimet e luftës.

“Qëllimi ka qenë fillimi implementim praktik të strategjisë së krimeve të luftës, dokument i hartuar më 21 shkurt 2019”.

“Objektiva që kemi nxjerrë para vetes që duke filluar nga Ministria e Drejtësisë, Policia departamenti krimeve të luftës të kenë përgjegjësi, kemi dalë më dy mekanizma”.

“I pari është krijimi një task-force që do analizojë çështjen e resurseve për mbështetjen e departamentit të krimeve të luftës. Mekanizmi i dytë është mekanizmi monitorues që do ta monitorojë strategjinë dhe efikasitetin e saj”.

Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, tha se kanë përcaktuar objektivat në trajtimin e raste të krimeve të luftës.

Sipas tij, qëllimi ka qenë të koordinohen institucione zbatuese të ligjit me qëllim të rritet efikasiteti në hetimin, ndjekjen dhe akuzimin e personave që janë involvuar në këto vepra.

“Jemi dakorduar që të kemi një task-forcë e cila do të merret edhe me analizimin, ekspertiza dhe prioritete të cilat do t’i trajtojmë gjatë periudhës së ardhshme”.

“I kemi përcaktua objektivat për trajtimin e disa masakrave më të mëdha që kanë ndodhë në Kosovë në 98-99. Jemi koordinuar drejtuesit e institucioneve dhe përfaqësuesit e BE-së që dikush nga BE-ja të përcjell monitorimin dhe të na ndihmojë në trajtimin e këtyre vështirësive. Jemi koordinuar që të bashkëpunojmë edhe me Tribunalin e Hagës”.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka theksuar se pavarësisht që kanë kaluar 20 vjet nga lufta, kjo temë vazhdon të mbetet e freskët dhe nuk mund të venitet përveçse duke u ballafaquar me të.

“Këto viktima të krimeve të luftës, civilët e pafajshëm që janë persekutuar, vrarë, torturuar duke mos u marrë parasysh as për nga mosha, as për nga gjinia, si dhe familjarët e tyre që e kanë përjetuar këtë ankth, ende e kanë të freskët memorien dhe të cilët, sot, pa dallim etnie, pa dallim gjinie, kërkojnë drejtësi”.

Ministri Tahiri ka thënë se padrejtësitë duhet të gjykohen, në mënyrë që mos të bëhen burim i tensionit dhe të mbajnë peng të ardhmen.

Sipas ministrit Tahiri, ndonëse për këto krime deri më tani kane qenë përgjegjës  institucionet ndërkombëtare të drejtësisë të vendosura në Kosovë, tashmë institucionet vendore duhet të marrin përgjegjësinë për dështimet dhe sukseset në këtë fushë.

“Një gjë është shumë e qartë në këtë diskurs dhe duhet të jetë e qartë në çdo rrafsh: kolektivisht mund të solidarizohemi por kolektivisht nuk mund të vendosim drejtësi. Përgjegjësia është personale, sepse drejtësia nuk është hakmarrje por është vendosje para përgjegjësisë e atyre që kanë shkaktuar dhunë”.

 Megjithatë, ministri ka theksuar se pavarësisht sa kohë do të kaloj apo pengesave që mund të shkaktohen nga Serbia, shteti i Kosovës do të vazhdojë të punojë deri në sjelljen para drejtësisë të fajtorëve.

“Kanë kaluar 20 vite por as 200 vite nuk mund ta mohojnë drejtësinë dhe ata që janë përgjegjës për krime lufte, për ato krime që kanë ndodhë në Kosovë në 98-99-tën, duhet ta dinë se as koha nuk i shpëton dot nga përgjegjësia” ka potencuar ministri Tahiri.

Rashit Qalaj, drejtor i Policisë së Kosovës, tha se krijimi i kësaj task-force do të ketë ndikim pozitiv për vendin, raporton EO.

“Hetimi krimeve të luftës është mjaft kompleks. Konsideroj se policia do ketë rol kyç në këto angazhime. Konsideroj se ky do jetë objektivi numër një i gjithë institucioneve që jemi këtu dhe do ketë ndikim pozitiv për vendin”.

https://www.facebook.com/EkonomiaOnline/videos/377222689556544/

LEXONI EDHE:

https://ekonomiaonline.com/nacionale/siguri/mblidhen-kreret-e-drejtesise-flasim-per-themelimin-e-taskforces-per-krimet-e-luftes/

Të ngjashme