Janë ekzekutuar pagat për muajin gusht për të gjithë punonjësit e Telekomit të Kosovës.
Lajmin e ka konfirmuar kryetari Sindikatës së Telekomit, Lamih Balaj.
Balaj ka thënë se pagat për rreth 2400 punëtorë janë siguruar nga të hyrat e Telekomit.
“Sot janë ekzekutuar pagat e muajit gusht për të gjithë punëtorët e Telekomit të Kosovës. Këto mjete të pagave që janë 1.9 milion euro për paga për një muaj janë siguruar nga të hyrat e Telekomit”, deklaroi Balaj.
Pavarësisht realizimit të pagave, Balaj u shpreh se gjendja në këtë kompani është mjaft e vështirë, që sipas tij, në muajt në vijim do të ketë mjaft telashe në aspektin financiar.
Ndërsa, mësohet se ende nuk janë ekzekutuar pagat për sektorin publik, që janë mbi 80 mijë shërbyes civil në të gjitha institucionet shtetit.
Ndryshe, kriza në ndërmarrjen publike “Telekomi i Kosovës” është thelluar tej mase, veçmas pas ndërhyrjes së përmbaruesit të autorizuar nga kompania “Dardafon”.