Është publikuar video e konfliktit me armë zjarri në Tiranë që i kushtoi jetën shtetasit Jurgen Duka (Mëziri).
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit në rrugën “Irfan Tomini”.
Shtetasi 29-vjeçar, dyshohet se në gjendje të dehur, së bashku me shokun e tij shtetasin O. D., kanë hyrë në market.
Ora shënon 01:11, Jurgeni dhe autori i vrasjes nisin një konflikt verbal para banakut të shitësit ku po bëjnë pagesën. Në debat përfshihet shoku i Jurgenit. Veç tyre në maket gjenden dhe tre djem të tjerë të rinj që nuk dihet nëse janë thjesht klientë apo të njohur të ndonjërit prej grupeve.
Konflikti verbal përshkallëzon në përplasje fizike, tentohet që t’i ndajnë, por në fund viktima dhe autori shkojnë në përplasje kokë më kokë.
Në sekondën e 37-të videos së marrë nga kamerat e sigurisë, shkrepet arma. Viktima shtrihet në tokë dhe të gjithë vrapojnë me shpejtësi përjashta. Në fund në market mbeten viktima me shitësin.
Shërbimet e Policisë kanë kaluar menjëherë në vendngjarje, dhe grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë ka sekuestruar prova materiale që shërbejnë për të identifikuar autorin e ngjarjes.
Janë marrë në pyetje shoku i viktimës dhe persona të tjerë në vendngjarje. Nga ana e policisë vijon puna për identifikimin e kapjen e autorit.