Rektorati bën shkelje me pranimin e asistentëve në UP

Prishtinë | 02 Shk 2017 | 08:15 | Nga

Rozafa Koliqit nuk i ka mjaftuar përfundimi i specializimit e as doktorata që të zgjidhet asistente në Fakultetin e Mjekësisë përderisa në vend të saj Rektorati i UP-së ka zgjedhur një specializant, duke e shkelur edhe Statutin e vet.

Rozafa Koliqi, specialiste e vetme në Kosovë për farmaci klinike, nuk është zgjedhur asistente në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, pavarësisht se recensioni i ishte vlerësuar pozitivisht, kishte vendimin pozitiv dhe votat unanime të Këshillit të Fakultetit.

Koliqi, e cila ka doktoruar në Universitetin e Shkupit “Kirili dhe Metodi”, ka konkurruar për t’u zgjedhur asistente në lëndën Farmaci Klinike me Farmakoterapi dhe Farmakognozi, pasi nuk është pranuar asistente e rregullt është detyruar të largohet nga UP-ja.

Ndërsa në vend të saj si asistent për Farmaci Klinike me Farmakoterapi dhe Farmakognozi është pranuar një specializant.

Në rastin e Rozafës është shkelur me “dy këmbë” Statuti i UP-së, bashkë me konkursin e shpallur nga ky Universitet në vitin 2015, kur ajo ka konkurruar, shkruan “Zëri”.

As punimet shkencore me impakt-faktor nuk janë marrë parasysh në rastin e kësaj kandidateje për asistente, ndonëse Komisioni Recensues dhe Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë i kishin propozuar Senatit që si asistente në lëndën Farmaci Klinike me Farmakoterapi dhe Farmakognozi të përzgjidhet kandidatja Rozafa Koliqi.

Por, në Senatin e UP-së votohet kundër propozimit të Fakultetit për ta pranuar Koliqin. Kjo shkelje e Statutit nuk është kthyer pas.

Gazeta “Zëri” ka mësuar se ndaj këtij votimi të senatorëve në kundërshtim me Statutin nuk ka pasur reagim të rektorit të UP-së, Marian Dema, dhe as nga sekretari i UP-së, Esat Kelmend. (Zeri)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme