Ndërtimi i objektit të FSHMN-së do të financohet nga buxheti i UP-së

Prishtinë | 22 Dhj 2017 | 14:06 | Nga

Në një komunikatë për media Rektorati i Universitetit të Prishtinës ka bërë të ditur se ndarja e buxhetit për ndërtimin e objektit të FSHMN-së do të ndahet nga vetë buxheti i Universitetit të Prishtinës e cila operon si organizatë e pavarur buxhetore.

“Lidhur me shkrimin në portalin e Radio Televizionit të Kosovës  të datës 21.12.2017, me titull “Ndërtimi i objektit të FSHMN-së, as në vitin 2018”, si dhe njoftimet në mediat e tjera të shtypura dhe elektronike, ku thuhet që Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nuk ka paraparë as në buxhetin e vitit 2018 ndërtimin e objektit të Fakultetit të Shkencave Matematiko – Natyrore të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”(UP), njoftojmë opinionin që Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është organizatë e pavarur buxhetore, e cila e planifikon buxhetin e saj duke u bazuar në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Rrjedhimisht, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, duke iu referuar shkresës së fundit të Buxhetit dhe kufijve fillestarë buxhetorë (Qarkorja Buxhetore 2018/01), i ka përgatitur kërkesat buxhetore për shpenzimet operative dhe kapitale për vitin 2018, si dhe parashikimet për vitin 2019 dhe 2020. Kërkesat janë të futura në sistem, të bazuara në Udhëzimin e Qarkores Buxhetore 2018/1, për vitin 2018.

“Në këtë drejtim, bazuar tek Planifikimi i Buxhetit për vitet 2018 – 2020 nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, njoftojmë që për ndërtimin e Fakultetit të Shkencave Matematiko – Natyrore është ndarë shuma si ne vijim: për vitin 2018 është ndarë shuma prej 100,000 (njëqind mije) euro, për vitin 2019 shuma prej 1,000,000 (një milion) euro, si dhe për vitin 2020 shuma prej 1,350,000 (një milion e treqind e pesëdhjetë) mijë. Pra, buxheti i UP-së parasheh fillimin e punimeve për ndërtimin e objektit të FSHMN-së në vitin 2018”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme