Përzgjedhësi i Danimarkës, Age Hareide, ka pranuar se më me dëshirë do të qëndronte në fushën stërvitore gjatë tërë javës, sesa të udhëtojë për në Prishtinë për miqësore.
Kosova e Danimarka takohen të enjten në “Fadil Vokrri” në miqësore, në kohën kur shumica e përfaqësueseve evropiane nisin kualifikimet për “Euro 2020”.
Por pasi Kosova e Danimarka janë në grupe me nga pesë përfaqësuese, do të luajnë miqësore në mes vete para se të zhvillojnë ndeshjet e para kualifikuese në fillim të javës së ardhshme. Ishte vendim i UEFA-s që të gjitha përfaqësueset të luajnë miqësore në terminët e lirë të tyre, nëse janë në pesë grupet me nga pesë përfaqësuese.
UEFA vendosi kështu për të bërë garën më të barabartë, që të gjitha përfaqësueset të kenë numër të njëjtë ndeshjesh. Për shkak të kushtëzimit të UEFA-s edhe ka ardhur te miqësorja Kosova – Danimarka. Këtë e ka lënë të kuptohet përzgjedhësi i Danimarkës, Hareide.
“Nëse do të varej nga unë, ne vetëm do të stërviteshim për ndeshjen me Zvicrën. Por UEFA thotë se ne duhet të luajmë ndeshje”, ka thënë Hareide, ka shkruar sajti danez “ekstrabladet.dk” të hënën mbrëma. Danimarka luan në udhëtim më 26 mars ndaj Zvicrës në hapje të eliminatoreve. Danimarka është në Grupin D së bashku me Zvicrën, Irlandën, Gjeorgjinë dhe Gjibraltarin.