Dardan Sejdiu kërcënon asamblistët që s’e votuan raportin financiar të Shpend Ahmetit

Prishtinë | 22 Mar 2018 | 12:34 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Sokol Havolli, anëtar i Kuvendit Komunal të Prishtinës nga LDK-ja, ka thënë se së paku një këshilltar komunal është kërcënuar nga Dardan Sejdiu, pse nuk e kanë votuar Raportin Financiar të paraqitur nga kryetari Shpend Ahmeti.

Në mbledhjen e tretë të Kuvendit Komunal Havolli shtoi se Raporti Financiar ka qenë shumë i dobët dhe se Dardan Sejdiu po i kërcënon asamblistët nëpër korridore pse nuk është votuar raporti.

Sejdiu ka qenë nënkryetar i Prishtinës dhe konsiderohet si një ndër bashkëpunëtorët dhe përkrahësit e kryetarit Shpend Ahmeti, megjithëse tani është deputet i Kuvendit të Kosovës.

Havolli ka saktësuar për Ekonomia Online se ai nuk është kërcënuar personalisht nga Sejdiu. Sipas tij, kërcënim ka pretenduar se ka pasur Eman Rrahmani, asamblist i Vetëvendosjes.

“Po ju pyes se cilat janë masat që do të merren për sigurinë ndaj kërcënimeve që po na bëhen”, tha Havolli, në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Komunës.

Eman Rrahmani nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me pohimet e Havollit për kërcënim tha se Dardan Sejdiu, nuk ka kërcënuar askënd për mosvotim të raportit, por për ngecje te projekteve.

“Kërcënimi nga Sejdiu nuk po vjen pse s’ka kaluar Raporti Financiar, por pse nuk po ecin projektet e propozuara”.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Agim Kuleta, ka kërkuar që debati për këtë temë të mbyllet me arsyetimin se për kërcënime eventuale t’i drejtohen Policisë.

“Kjo temë e kërcënimit u banalizua, nëse është çështje sigurie atëherë adresojeni në Polici”, tha Kuleta.

Të ngjashme