Përfaqësuesja e Kosovës do ta zhvillojë sonte ndeshjen kualifikuese me Malin e Zi në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë, e cila fillon në orën 20:45, raporton Ekonomia Online.
Stadiumi i kryeqytetit pritet të jetë i mbushur, ndërsa as kësaj radhe nuk do të mungojnë tifozët besnikë – “Dardanët”.
Këta të fundit po presin që Kosova sonte ta mposhtë Malin e Zi, e ta mbajë gjallë shpresën për Euro 2020.
E disa prej tyre kishin ardhur nga Diaspora enkas për këtë ndeshje.
“Fitore, fitore, fitore. Kemi ardhur nga Gjermania dhe nesër do të nisemi për Gjermani. Ne besojmë në fitore 2:0, por shpresojmë që do të jetë 4:0”, kanë thënë tifozët e ardhur nga Gjermania”, tha ky tifoz.
Një tjetër ishte mllefosur me mënyrën e funksionimit të ndarjes së biletave.
Ai, nuk kishte arritur të sigurojë një biletë për këtë ndeshje, ndonëse kishte marrë rrugë nga Gjermania.
“Kemi ardhur nga Gjermania dhe nuk kemi mundur të sigurojmë një biletë dhe kemi ardhur këtu afër Stadiumit me parë atmosferën”, ka thënë ai.
Se presin fitore e tha edhe Valon Selimi, tifoz i grupit “Dardanët”. Ai ka thënë se në këtë ndeshje do të ketë një koreografi të paparë ndonjëherë.
“Normal pres fitore dhe mendoj se do të fitojmë 2:0. Ne si Dardanë dhe tifozë të flaktë mendojmë se gjasat janë 100 për qind por tash do të varet edhe nga ndeshja e Çekisë me Bullgarinë dhe ne do të shkojmë në Çeki për një rezultat pozitiv. Normal sonte do të ketë një befasi dhe do të jetë një super koreografi e paparë deri më tani”, ka thënë Selimi.
Kujtojmë se në nëntor, Kosova do t’i zhvillojë edhe dy ndeshje tjera. Atë me Çekinë në Çeki dhe me Anglinë në “Fadil Vokrri”.