Kombëtarja e Kosovës e ka mbajtur seancën e tretë stërvitore në prag të miqësores me Burkina Fason, që zhvillohet më 24 mars. Në stërvitjen e sotme, e cila u mbajt në stadiumin “Fadil Vokrri”, përzgjedhësi Alain Giresse kishte në dispozicion të gjithë lojtarët, raporton Ekonomia Online.
Atmosfera në stërvitje ishte shumë e mirë, derisa edhe forma e futbollistëve duket të jetë në nivelin e duhur.
Gjatë kësaj stërvitje Dardanët kanë punuar me përkushtim, teksa trajneri francez ka vëzhguar me kujdes lëvizjet e secilit futbollist dhe ka dhënë këshillat e tij rreth filozofisë së tij të lojës.
Para kësaj stërvitje, trajneri i Kombëtares së Kosovës, Alain Giresse dhe kapiteni i Amir Rrahmani, mbajtën një konferencë për medie. I pari tha se në këtë ndeshje do të provohen të gjithë lojtarët, ndërsa kapiteni Rrahmani tha se do të shërbejë për perfeksionim për ndeshjet e qershorit.