Monodrama “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë” do të vijë nesër premierë në Teatrin Dodona.
Monodrama e shkruar nga Ridvan Dibra do të jetësohet në skenë nga regjisorit dhe në këtë rast edhe skenaristi, Ben Apolloni.
Në rolin e Madalenës do të vijë aktorja Arjola Demiri.
Regjisori Apolloni është deklaruar përmes një postimi në Facebook se gjithmonë i ka pëlqyer të merret me vepra të autorëve që ironinë e kanë figurë qendrore dhe gjithashtu ai pohon se në shfaqje janë disa skena e detaje që një pjesë të audiencës do ta bëjnë të ndihet në siklet.
“Gjithmonë më ka pëlqyer të merrem me vepra e autorë që ironinë e kanë figurë qendrore. E, Ridvan Dibra është mjeshtër i ironisë, prandaj edhe vepra e tij, në prozë e dramë, më pëlqen shumë. Shfaqja “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë”, e ndërtuar mbi tekstin dramatik të Dibrës, është një shfaqje teatrore “rreth ushkurit”, një shfaqje që na provokon që në titull, duke na vënë përballë dashurive të një virgjëreshe, duke na vënë përballë figurës, për mua kryesore, të krijimtarisë letrare të autorit. Janë disa skena e detaje që një pjesë të audiencës do ta bëjnë të ndihet në siklet dhe shpresoj shumë që kjo të ndodhë, me sa më shumë prej atyre që do ta shohin shfaqjen! Arti, përveç të tjerash, më pëlqen të jetë edhe provokues, të na vëjë në siklet, të na prekë ku nuk guxojmë ta prekim veten”, shkruan Apolloni teksa tutje tregon që gjatë leximit të kësaj monodrame ai ka menduar edhe se sa shumë është ofenduar femra.
“Duke e lexuar monodramën e më pas duke e zbërthyer atë në skenë, shpesh kam menduar se sa shumë e kemi ofenduar femrën duke e vendosur moralin e saj, vlerën e saj, në një cipë të hollë, në një asgjë, “dy gishta larg anusit “. Zoti na e faltë!
Në skenat e shfaqjes “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë”, ka seks, ka të qeshura, ka lot e gjak. Shikim të këndshëm!”, shkruan tutje regjisori.
Shfaqja vjen premierë nesër, më datë 4 shkurt, në ora 19:30, ndërsa reprizë është më datë 5 shkurt.