Deputeti i AAK-së Daut Haradinaj, që ka qenë pjesë e UÇK-së, e ka cilësuar si lajm tepër të keq ngritjen e aktakuzës ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit nga Dhoma e Prokurorit të Specializuar.
Ai në Specialen e Klan Kosovës ka thënë se nuk është praktikë ndërkombëtare që prokuroria ta publikojë aktuakuzën pa konfirmim paraprak nga gjykata.
“Gjithsesi që është e paqartë, sepse nuk kemi dëgjuar asnjëherë që Prokuroria e publikon aktakuzën para se të konfirmohet nga gjykata paraprake. Kjo është për t’u shqetësuar edhe në kohën kur publikohet kjo aktakuzë. Jo vetëm për rastin Thaçi-Veseli, por kjo nuk është praktikë e njohur në drejtësisë ndërkombëtare. Është rast puro politik që aktakuza tenton paraprakisht t’i bëjë një gjykim publik”.
Haradinaj e ka cilësuar këtë zhvillim si politik dhe tendencioz.
“Ajo gjykatë është politike, dhe si të tillë e kam konsideruar prej fillimit. Më shqetëson fakti që si Kosovë kur publikohet kur dihet fakti që të shtunën është paraparë një takim i nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë ku edhe ka burim liria e Kosovës. Mendoj që është puro politike dhe tendencioze, por gjithsesi që do të dalë e dështuar”.
Por, a mund të anulohet takimi i 27 qershorit në Washington, si pasojë e këtij zhvillimi?
“Çdo format takimi tashmë do të jetë më i zbehtë, sepse pesha e ngjarjeve në opinioni publik qoftë atë vendor ose ndërkombëtar është i fokusuar në publikimin e këtyre aktakuzave. Do të ketë impakt, por në asnjë variant nuk do të bëjmë kompromis në dëm të Kosovës”.
“Jam i bindur se miqtë e mi Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli do ta fitojnë këtë betejë dhe do të dalin edhe më të fortë sesa që kanë qenë”.