Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj ka folur për partneritetin qeverisës mes PDK-së, AAK-së dhe Nismas duke e quajtur atë të suksesshëm.
“Kjo është parnertitet qeverisës, nuk kemi kumbari po jemi të kënaqur, është kujdes reciprok, ka stabilitet qeverisës, të gjitha vendimet po kalojnë në Kuvend, ka besueshmëri reciproke për çka i jam mirënjohës partnerëve të koalicionit”.
Haradinaj në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se është e padrejtë që deputetët e Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe Donika Kadaj-Bujupi të mbahen në paraburgim.
Madje ai ka treguar se ka marrë një iniciativë në Kuvendin e Kosovës për të mbledhur nënshkrime nga deputetët që të gjithë ata që kanë hedhur gaz në Kuvendin e Kosovës të amnistohen.
“Mendoj që është gabim pse Albin Kurti dhe Donika Kadaj-Bujupi mbahen brenda, edhe si deputet, edhe si koleg, edhe si njeri i këtij vendi mendoj se është e padrejtë që të mbahen të izoluar për veprimet e tyre politike që i kanë bërë për kundërshtimin e një marrëveshje si ajo e Zajednicës dhe Asociacionit, për të cilën Kushtetutesja ka konstatuar se ka shkelje në 23 nene”.
“Kam tentuar të mbledhë nënshkrime që të iniciojmë një amandament që amniston të gjitha veprimet e deputetëve që kanë qenë në kundërshtim të Asociacionit dhe Demarkacionit”.
“Për raste të ngjashme, kur është hedhur bombolë gazi në supermarket ku ka pasur edhe fëmijë edhe plot njerëz, një qytetar i Kosovës, jo shqiptar është dënuar me 350 euro, në rastin fjalë kur bëhet fjalë për deputet, nuk respektohet standardi i njejtë, janë standarde të dyfishta”.
Haradinaj ka bërë apel që të ketë mirëkuptim dhe deputetët Kurti dhe Kadaj-Bujupi të lirohen sa më shpejt.
Deputeti i AAK-së ka marrë një shembull krahasues lidhur me iniciativën që ai ka nisur për mbledhjen e nënshkrimeve për amnistimin e deputetëve që kanë hedhur gaz lotsjellës.
“Kemi biseduar edhe me kolegë, Kuvendi shkoi në pushim, kemi filluar t’i mbledhim nënshkrimet, nuk kam parë një vullnet kundërshtues”.
“Kam marrë shembull, amnistia për struktura paralele në veri në vitin 2013, ka qenë projektligj që është sjellë nga Qeveria dhe janë amnistuar rojet e urës”.
“Kemi amnistuar në Parlamentin e Kosovës dhe ata mund të jenë policë, zjarrfikës, drejtorë komunash”.