Problemet që ballafaqohen qytetarët e Prishtinës janë të mëdha, tha kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj, duke shtuar se në mandatin e tij, problemet do të zgjidhen, raporton Ekonomia Online.
Këtë e tha gjatë takimit me banorët e lagjeve: Bregu i Diellit, Aktash Hajvali, Veternik dhe Mati 1.
Teksa ka folur për problemet nëpër lagje të ndryshme, Haradinaj tha se edhe 22 vjet pas lufte, qytetarët përballen me gjëra elementare.
Ai tha se me një buxhet për afro 100 milionë euro, shumë probleme mund të zgjidhen në Prishtinë.
“Hajvalia ka shumë probleme, trafiku urban, zgjerimi i rrugëve e shumë probleme tjera. Me një buxhet afro 100 milionë euro në vit, shuma probleme zgjidhen. Në shkollën ‘Ismail Qemali’, mbahet mësimi në katër ndërrime dhe paramendoni se çfarë cilësie bëhet aty. Për çdo vit i teprojnë komunës së Prishtinës. Në Hajvali janë dy klube të qytetit, dhe aty ende nuk ka fushë sportive. Ende në vitin 2021, ka familje që rrymën e kanë që nga paslufta. Lagjja Qëndresa, ende nuk ka shkollë, ku mijëra nxënës udhëtojnë me autobus për t’i vijuar mësimet. Kur flasim për Mati 1, flasim për grumbullimet e ujërave të zeza, dhe ende. Aty është bërë edhe e famshme rruga “Muharrem Fejza”, e cila është paraparë të përfundojë më 1 shtator. Aty mungojnë shumë gjëra. Duhet urgjentisht t’ia kthejmë dinjitetin asaj lagje, ku shumë banorë nuk kanë pranim teknik të banesave të tyre”, tha Haradinaj.
“Jemi arsyetuar për shumë vite se Pallati i Rinisë, nuk po mund ti bartet Komunës, dhe kjo është bërë tashmë. Aty nuk janë investuar asgjë. Në Pallati i Rinisë kemi paramenduar të ndërlidhet me pllaton, dhe aty është paraparë të ndërtohen, pishina dhe gjelbërim, e ku rivatilizimi i këtij projekti do të punësonte mbi 7 mijë qytetarë. Ligji për kryeqytetin, askush nuk flet, por aty mund të shihni se shumë gjëra janë përfunduar dhe Prishtina ka përfituar shumë”, tha ai.
Dren Shahini, kandidatë për asamble komunale, tha se për herë të parë Prishtina njihet ligjërisht si kryeqytet, për të cilën tha se kjo është bërë nën udhëheqjen e Ramush Haradinajt.
“E keni përjetuar Prishtinën që nga mëngjesi e në mbrëmje, me plot kaos, e kjo po bëhet pikërisht nga ata që i zgjodhëm para tetë vitesh, ku nuk kanë bërë asgjë. Kur jam pyet se përse kam zgjedhur AAK, kam dy përgjigje. E para atdhedashurinë e ka kjo parti. E ka bërë Prishtinën, ligjërisht kryeqytet, pra nën udhëheqjen e Ramush Haradinajt, për herë të parë Prishtina njihet ligjërisht si kryeqytet. Të tjerët janë ankuar se Pallati i Rinisë nuk po mundet ta kenë nën mbikëqyrje komuna e Prishtinës, dhe pikërisht Qeveria nën udhëheqjen e Ramush Haradinajt, komuna e Prishtinës e ka nën mbikëqyrje pallatin e rinisë. Daut Haradinajt është përkufizim, është diferenca me të tjerët që janë në garë, sepse për tjerët janë kopje e kryetarit aktual. Haradinaj është unik dha gjithçka për vendin dhe gjithë të tjerat do t’i shkrijë në të mirë të qytetarëve të Prishtinës”, tha Shahini.
Ergyn Dobërçani, kandidatë për asamble komunale, tha se edhe 22 vjet pas luftë, duhet të flitet për urbanizëm.
“Çdo fshat e para lagje e ka rëndësinë e vet. 22 vjet pas luftës, ne duhet të flasim për shkatërrimin urbanistik. Ne duhet të flasim për degradimin në çdo fushë, në shëndetësi, kulturë, drejtësi e sport, ku janë degraduar të gjitha këto sektorë”, u shpreh ai.
Kandidatët tjerë për asamble komunale, kërkuan që këto zgjedhje të votohet numri 121 dhe Daut Haradinaj për kryetar të Prishtinës.