Bendi “Megadeth” i ka anuluar shumicën e koncerteve të ardhshme pas njoftimit të frontmenit në Instagram.
“Jam diagnostikuar me kancer të fytit”, shkroi Mustaine. “Është padyshim diçka që duhet të respektohet dhe me të cilën duhet të përballem – por unë kam hasur në pengesa edhe më parë. Po punoj me mjekët e mi nga afër dhe e kemi hartuar një plan trajtimi për të cilin ata mendojnë se ka një shkallë suksesi prej 90 për qind. Trajtimi ka filluar tashmë.
“Fatkeqësisht, kjo kërkon që ne t’i anulojmë shumicën e koncerteve këtë vit. Festivali 2019 Megacruise do të mbahet, dhe bendi do të jetë pjesë e tij në një formë. Të gjitha informacionet do t’i gjeni në megadeth.com sapo t’i kemi. Megadeth do të kthehet në turne sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Orari i turneut të “Megadeth” për vitin 2019 gërshetohet me datat e festivaleve në të gjitha Shtetet e Bashkuara – përfshirë Summerfest i Milwaukee dhe Psycho Las Vegas – me disa koncerte me Ozzy Osbourne. Ata gjithashtu e kishin një numër të madh koncertesh në Amerikën e Jugut të planifikuara për shtator. Turneu i bendit Megacruise është planifikuar për 13-18 tetor të këtij viti, shkruan KOHA Ditore.
Mustaine shtoi se, edhe pse ata u detyruan të largohen nga turneu, anëtarët e tjerë të bendit do të vazhdojnë të punojnë derisa ai trajtohet.
“Ndërkohë, Kiko, David, Dirk dhe unë jemi në studio, duke punuar në vazhdimin e ‘Dystopia’ – të cilin mezi pres ta dëgjojnë të gjithë”, përfundoi ai. “U jam shumë mirënjohës të gjithë ekipit tim – familjes, mjekëve, anëtarëve të bendit, trajnerëve dhe të tjerëve. Do t’ju mbaj të informuar.”