“De Gea mendon se është i paprekshëm, i duhet konkurrencë”

Prishtinë | 22 Kor 2020 | 15:58 | Nga Ekonomia Online

Ish-sulmuesi i Manchester Unitedit, Dimitar Berbatov, beson se David De Geas i duhet konkurrencë për pozitën e portierit të parë në klub nga Dean Henderson, pasi që beson se spanjolli e sheh veten si të paprekshëm në skuadër.

Portieri spanjoll është kritikuar për gabimet e tij në tre golat e Chelseat në ndeshjen e së dielës, në gjysmëfinalen e FA Cup, pasi edhe vetë trajneri Solskjaer e pranoi pas ndeshjes se De Gea mund ta kishte pritur më mirë goditjen e Mason Mount që përfundoi në golin e dytë të Chelseat.

Për shkak të edhe disa gabimeve të tjera që De Gea i ka bërë gjatë këtij sezoni, shumë tifozë kanë kërkuar që De Gea të largohet nga formacioni i parë për dy ndeshjet e mbetura në këtë sezon të Premierligës, pasi që ato do të jenë vendimtare për ëndrrën e Manchester Unitedit për kualifikim në Ligën e Kampionëve.

Për më tepër, shumë tifozë dhe analistë kanë kërkuar që Manchester Unitedi ta kthejë në skuadër për sezonin e ardhshëm portierin e huazuar në Sheffield United, Dean Henderson, i cili ka qenë mbresëlënës me Sheffieldin këtë sezon.

“De Gea duhej ta kishte pritur më mirë goditjen te goli i dytë në ndeshjen e së dielës. Edhe ai e di këtë. Por, ai është ende njëri ndër portierët më të mirë në botë, pavarësisht gabimeve që i ka bërë këtë sezon. Çdo portier, edhe më të mirët, ka bërë gabime ndër vite”, ka thënë Berbatov.

“Nëse Manchester Unitedi vendos ta kthejë Dean Hendersonin nga Sheffield Unitedi, unë mendoj se kjo do t’i bëjë De Geas mirë. Lojtarëve u nevojitet konkurrencë dhe Henderson ka qenë i mrekullueshëm”.

“Nganjëherë kur ndihesh i sigurt në pozitën tënde në formacion, atëherë fillon të bësh gabime. Është e njëjta edhe me lojtarët e tjetër, jo vetëm me portierët, kur ti mendon se je i paprekshëm, bën më shumë gabime sepse ke më shumë vetëbesim sesa që duhet”.

“Henderson është 23-vjeçar, që për portier është moshë shumë e re. Ai ka edhe shumë vite karrierë përpara vetes, por ju mund ta vëreni se sa i uritur për të luajtur është ai dhe mendoj se konkurrenca që do ta sillte ai në klub do ta ndryshonte situatën. 

Të ngjashme