De Gea paralajmërohet: Henderson mund t’ia zërë vendin në United

Prishtinë | 23 Qer 2020 | 12:03 | Nga Ekonomia Online

Mesfushori i Sheffield Unitedit, Oliver Norwood, beson se Dean Henderson – i huazuar në Sheffield nga Manchester Unitedi – e ka të shkruar ta zëvendësojë David de Gean në pozitën e portierit të parë të Djajve të Kuq, pasi që beson se Henderson mund ta përballojë presionin.

Pritshmëritë për të ardhmen e Dean Henderson janë përmirësuar dukshëm në dy sezonet sa ai ka luajtur i huazuar për Sheffield Unitedin, pasi që paraqitjet e tij kanë qenë të mjaftueshme për ta dëshmuar se ai mund ta marrë pozitën e portierit të parë në Old Trafford.

Henderson është vetëm 23-vjeçar dhe deri më tani nuk e ka pasur rrugën e lirë për ta dëshmuar veten në Teatrin e Ëndrrave pasi që atje e ka mbajtur pozitën e portierit të parë David de Gea.

Megjithatë, tani janë ngritur pyetje për të ardhmen e spanjollit De Gea, i cili është zgjedhur tri herë lojtari i vitit në klub, shkaku i gabimeve të shpeshta që i ka bërë gjatë këtij sezoni dhe që i kanë kushtuar me pikë Manchester Unitedit.

Kritikat me të cilat është përballur De Gea këtë sezon kanë bërë që të diskutohet se a ka ardhur koha që Manchester Unitedi t’ia japë një mundësi në formacion të parë Hendersonit.

“A mund ta zërë Henderson vendin e portierit në United? Pa asnjë dyshim, ai e ka dëshmuar veten këtë sezon, ai është njëri ndër portierët që e ka mbajtur portën e paprekur në më së shumti ndeshje, kështu që po shihet se ka bërë diçka si duhet”, ka thënë Norwood.

“I kam lexuar disa komente nga njerëz të ndryshëm dhe unë pajtohem që atje do të përballej me më shumë presion sepse kjo vjen me të qenët pjesë e Manchester Unitedit në krahasim me Sheffield Unitedit – njëjtë siç do t’i ndodhte edhe në postin e portierit të Anglisë”.

“Jam i sigurt se Hendo mund ta përballojë atë presion, ai ka vetëbesim. Jam i kënaqur që do të qëndrojë deri në fund të sezonit me ne për të na ndihmuar, nuk kam asnjë dyshim se do të na fitojë pikë në tetë ndeshjet që kanë mbetur deri në fund’.

“Sezoni i ardhshëm është sezoni i ardhshëm, nuk po mendojmë aq larg”. /Gazeta Express/

Të ngjashme