Sipas Kodit Penal në Republikën e Shqipërisë, ushtrimi i prostitucionit dënohet me gjobë deri në 3 vite burg.
Megjithatë diskutimi për dekriminalizimin apo legalizimin e prostitucionit mbetet i hapur veçanërisht pas një sugjerimi të Euraliusit në vitin 2016, për ndryshime në kodin penal lidhur me prostitucionin, me qëllim përafrimin e legjislacionit shqiptar me vendet e Bashkimit Europian.
Euralius në një njoftim të asaj kohe thoshte se dy nene, 113 dhe 115 i Kodit Penal, duhet të shfuqizohen duke mos dënuar prostitutat që kërkojnë me dashje ta ushtrojnë këtë profesion.
Por pavarësisht disa ndryshimeve në Kodin Penal dhe shtesave në disa pika, të dy nenet janë ende në fuqi. Ndërkohë vende të ndryshme të Bashkimit Europian kanë gjetur disa variante për këtë veprimtari, disa prej tyre duke shkuar përtej dekriminalizimit, siç është rasti i Gjermanisë, e cila jo vetëm e lejon, por ushtron kontroll mbi të përmes rregullimit me ligj, ndërkohë që Italia vetëm e ka legalizuar, por jo kontrolluar këtë aktivitet.
Një diskutim i gjerë është bërë në Francë, ku deri në vitin 2016 prostitucioni ishte i ligjshëm. Në këtë kohë duke ndjekur shembullin e Suedisë, Franca lejoi shitjen e shërbimeve seksuale, por jo blerjen e tyre, duke e dënuar me gjobë këtë veprimtari.