Shkarkimi i presidentit, Hashim Thaçi, ishte çështje e replikave në mes të kryeministrit, Ramush Haradinaj, dhe deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.
“Nëse duam ta kthejmë në kontratë mes Kosovës dhe Serbisë dhe balancës mes saj, kemi mbërri në një situatë kur nuk po mbërrijmë ta shohim totalin e dialogut. Për deputetët, ju lutem merrni përgjegjësinë, një pjesë është e Parlamentit. Presidenti përfaqëson në bazë të mandateve, ose e shkarkojmë, ose ka kompetenca. Nuk mundemi t’ia kufizojmë. Na mund të vazhdojmë të ankohemi se po na përfaqëson keq, por çka po bëjmë na tjerët. Nëse nuk mundemi me arritë marrëveshjen për kufijtë, e vetmja çështje Parlamenti që nuk po e bënë është me dalë me Vuçiqin. Nuk kemi nevojë me bë garë me një vend e le më me shit tokë që kemi tragjedi të së kaluarës shumë të dhimbshme. Jepni konkluzione të qarta, lehtësojuani punën. Ruani kompetencat e Parlamentit si autoritet suprem. Qëndrimet e mia nuk ndryshojnë. Sado të falënderohem apo të kritikohem,” është shprehur Haradinaj, raporton EkonomiaOnline.
Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, i kërkoi kryeministrit Haradinaj të dëshmojë nëse mund t’i kërkojë deputetëve të AAK-së, që të votojnë shkarkimin e presidentit Thaçi.
“Haradinaj ka trgeu që s’merr vesh prej kësaj punë. Kjo është deklaratë skandaloze, por unë nuk besoj që s’merr vesh. Arsyeja pse ka thënë kështu është se nuk guxon ta kundërshtojë Thaçin. Mos e ngatërroni përfaqësimin me politikë-bërje. Hashim Thaçi po bënë shkelje kushtetuese. Kush me e evidentu atë. Gjykata Kushtetuese që i keni qu njerëzit e juaj aty. A jeni në gjendje me kërku nga deputetet tuaj me votu për shkarkim të Presidentit,” replikoi Haxhiu në fjalën e kryeministrit Haradinaj.
I pari i ekzekutivit shmangi vazhdimin e debatit për shkarkimin e Presidentit, duke kërkuar nga deputetët të shfrytëzojnë të drejtën e tyre.
“Po më vjen keq që nuk po shfrytëzohet e drejta juaj, e keni këtë mundësi. Nuk e kam personale as grupore, po janë momente të rëndësishme për vendin tonë. Mos e harroni rëndësinë që e keni në vendime,” është shprehur Haradinaj.
Gjatë fjalimit të tij, kryeministri Haradinat tha se secili institucion duhet të marrë përgjegjësinë e vetë në dialogun me Serbinë, raporton EO.
“Atëherë le ta merr secili institucion pjesën e vetë të përgjegjësive, qeveria e merr ekspertizën, pra atë që po e bëjmë, parlamenti është dashur ta votojë edhe demarkacionin edhe platformën për delegacion, dhe tani, e vetmja gjë që parlamenti në njëfarë mënyre mund të thotë po e bën, është, nuk po shkon me dalë në fotografi me Vuçiqin, pra, me i paraqitë ato që i kemi para tij, ne nuk kemi nevojë të bëjmë garë se kush po shkon me dalë në fotografi me Vuçiqin, me cilindo burrështetas të ndonjë vendi, e lëre më me fqinjët tanë, me të cilët kemi kontekste të hapura, tragjedi e të kaluar shumë të dhimbshme, po s’është aty qëllimi. Unë ju siguroj që sikur ta gjeni një momentum të tillë çfarë e kemi gjetë kur u bë ushtria dhe ishin disa korniza, çka qëndrojmë si parlament, si PDK, si LDK, si Aleancë, si Vetëvendosje, si PSD ne do t’ia lehtësojmë kujtdo qoftë Kosovës, pra për t’i përfaqësuar temat, e me atë temë ne nuk e zgjidhim gjendjen në arsim, shëndetësi as në punësim as plot problem që i ka ky vend, por të paktën të sigurohemi që s’do të kemi befasi, njëkohësisht edhe i kufizojmë ata përfaqësuesit tanë, po i kornizojmë çka po e çka jo,” deklaroi Haradinaj.