Deçan, 4 të shëruar brenda ditës nga COVID-19

Deçan | 04 Gus 2020 | 17:12 | Nga Ekonomia Online

Në komunën e Deçanit sot janë konfirmuar edhe dy raste të reja me COVID-19. Sipas njoftimit të IKSHPK-së, të dy rastet janë nga fshati Carrabreg i kësaj komune.

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj ndërkaq ka njoftuar se sot në këtë komunë janë shëruar edhe katër qytetarë dhe numri i të shëruarve ka arritur në 19, kurse gjithsejtë raste të konfirmuara me COVID-19 janë 54.

“Sot edhe katër (4) të shëruar në komunën tonë nga #COVID19, dhe dy (2) raste te reja pozitive, dy (2) rastet nga fshati Carrabreg. Deri më sot në komunën tonë janë të identifikuara 54 raste me virusin SARS-CoV-2. Prej tyre 19 të shëruar plotësisht dhe 26 raste janë akoma aktive. Kujdesuni për veten dhe familjen”, ka shkruar Ramosaj në Facebook.

Ndryshe, sot është mbajtur edhe takimi i Shtabit Operativ Emergjent komunal, ku është diskutuar për respektimin e masave nga IKSHPK dhe Qeveria e Kosovës për menaxhimin e situatës për parandalimin e COVID-19.

Të ngjashme