Kuvendi Komunal i Deçanit ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme ku është kërkuar nga qeveria franceze lirimi i ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, por këtë mbledhje e kanë bojkotuar asamblistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Nga të gjitha grupet e asamblistëve në Deçan në mbledhje kanë munguar vetëm ata të LDK-së.
Arsyet për këtë bojkot nuk dihen, derisa kryetari i Deçanit, Rasim Selmanaj, ka deklaruar se një mungesë e tillë nuk është dashur të bëhet pasi mbledhja e Asamblesë është kërkuar nga të gjithë qytetarët e Deçanit pa dallim partie.
“Nuk është dashtë të ndodhë kjo, sepse kjo mbledhje është me kërkesë të qytetarëve të komunës dhe për interes të Kosovës”, ka thënë Selmanaj.
Pati reagim të institucioneve lokale të komunës së Deçanit lidhur me ndalimin e Ramush Haradinaj nga autoritet franceze duke u bazuar në kërkesën e padrejtë të Serbisë drejtuar Interpolit dhe nxjerrja e një deklarate kundërshtuese.
Kryesuesi i Asamblesë Komunale, Jashar Dobraj, tha se ky fillimvit i ka obliguar që seancën e parë të kuvendit ta kenë të jashtëzakonshme , sepse zhvillimet e fundit pas ndalimit të liderit të AAK-së ka imponuar një gjë të tillë.
“Nga dita e arrestimit më 04 janar 2017 e deri më sot ka pasur reagime të ndryshme nga institucione, qarqe, mekanizma, autoritete dhe forma të reagimit qytetarë të organizuar në formë protestash si brenda Kosovës po ashtu në shumë qendra të Evropës dhe Amerikës”, tha ai.
Në këtë seancë të jashtëzakonshme u kërkua lirimi me procedura të përshpejtuara i ish-kryeministrit të Kosovës dhe kryetarit të AAK-së Ramush Haradinajt. Ndërsa, në fund të seancës komisioni pesëanëtarësh i formuar nga ekzekutivi dhe dy partitë AAK dhe PDK por jo edhe LDK, hartuan një deklaratë kundërshtuese e cila u miratua njëzëshëm ne asamble.