Që nga mesi i muajit dhjetor, autoritete komunale të Deçanit janë në “luftë” me një insekt të quajtur “Thaumetopoea Pityocampa” apo “teja procesionore”, i cili ka kohë që është shfaqur në pyjet e fshatit Baballoq të Komunës së Deçanit, konkretisht në pjesën e pyjeve të quajtur “Suka e Baballoqit”, një territor me rreth 20 hektarë pyje të mbjella me pishë.
Dhe ndërkohë shqetësimet e kësaj komune ishin shtuar për shkak se ky insekt ishte duke u shtuar në vazhdimësi dhe rrezikonte të shkatërrojë jo vetëm ato 20 hektarë pyje, por edhe të kalojë në pyjet e tjera në Dukagjin, shkruan sot “Koha Ditore”.
Për eliminimin e këtij insekti në ato pyje, Komuna e Deçanit, siç thotë për “Kohën Ditore”, drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë në Deçan, Rifat Stojkaj, fillimisht se vetë si Komunë nuk munden të trajtojnë këtë problem, për shkak se sipas tij është një territor i gjerë.
Për këtë arsye, Komuna iu ka drejtuar për ndihmë të gjitha institucioneve relevante në Kosovë, si Ministrisë së Bujqësisë, Agjencisë Pyjore, Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Institutit Bujqësor të Kosovës dhe prej të gjithave, sipas tij, i është përgjigjur vetëm laboratori për mbrojtjen e bimëve në Institutin Bujqësor të Kosovës, të cilët kanë dalë në terren dhe kanë marrë mostra.