Rrugë drejt liberalizimit të tregut të homologimit të automjeteve, e kishte quajtur ministri në largim i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, autorizimin e 4 qendrave të kontrollit teknik për kryerjen e homologimit.
Por nuk ka treguar se shpërndarja nëpër qendra rajonale do të bëhet nën mbikëqyrjen e kompanisë “Eurolab”. Kjo kompani, që mban monopol në këtë treg për një dekadë, është autorizuar nga Lekaj të decentralizojë ofrimin e shërbimit të kontrollit të mjeteve nëpër qendra rajonale të Republikës së Kosovës.
“Eurolab” ishte autorizuar që të fillojë zhvillimin e organizimin e shpërndarjes rajonale të shërbimit të konstatimit të homologimit në rastin e importit, duke garantuar cilësinë dhe profesionalizimin e tij.
Në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit këtë e kanë arsyetuar duke thënë se ligji aktual ia mundëson një gjë të tillë. “Sipas ligjit aktual, nuk është e mundur të ndryshohet për shkak të mungesës së institucioneve, prandaj janë gjetur forma të tjera drejt liberalizimit dhe ofrimit të shërbimeve të qytetarëve, duke u bazuar në ligj”, ka thënë Fillojetë Konjuhi, zëdhënëse e kësaj ministrie.
Sipas saj, Lekaj ka marrë vendim për decentralizim të procesit të homologimit. “Në kuadër të kësaj janë autorizuar edhe 4 qendra të kontrollit teknik në 4 qytete të tjera dhe 2 janë në proces të autorizimit për homologim”, ka thënë Konjuhi për gazetën.