Deficiti tregtar i Kosovës ka kaluar mbi 615 milionë euro vetëm gjatë muajit korrik, pasi importet kanë arritur në mbi 720 milionë euro, ndërsa eksportet në vetëm 104 milionë euro.
Eksperti i ekonomisë, Bashkim Mustafa në një intervistë për Ekonomia Online e ka vlerësuar këtë situatë si jashtëzakonisht shqetësuese, duke kritikuar politikat qeveritare ndaj prodhimit dhe bizneseve vendore.
Sipas tij, rritja e vazhdueshme e importit nga muaji në muaj dhe nga viti në vit tregon mungesë të qasjes së duhur institucionale ndaj prodhuesve vendorë, ndërsa dalja e mbi615 milionë eurove jashtë vendit brenda një muaji krijon probleme të mëdha për likuiditetin financiar të bizneseve.
“Është jashtëzakonisht shqetësuese që nga muaj në muaj, nga vitin në vit kemi një rritje të trendit të importit në Kosovë dhe kjo tregon për mungesën e qasjes së duhur të qeverisë ndaj prodhuesve vendorë, ndaj prodhimit, i cili do të duhej të ulë këtë balancë sadopak. Por fatkeqësisht, mungesa e politikave të duhura, qasja e politikave qeveritare që fatkeqësisht ka kohë që ne nuk presim ndonjë gjë të mirë nga kjo qeveri, edhe kjo ndikon jashtëzakonisht shumë keq në prodhimin vendor dhe si i tillë nuk mund të zbritet. Me dalë 615.7 milionë euro brenda një muaji si jashtë vendit është jashtëzakonisht shqetësuese, tregon për mungesën e madhe të likuiditetit financiar që do t’i krijohet bizneseve, sidomos bizneseve prodhuese dhe ato që kanë qëllim eksportin”, ka deklaruar Mustafa.
Nëse fakti që Kosova ka një qeveri në detyrë dhe prej kohësh nuk ka institucione të plota ndikon në përkeqësimin e situatës ekonomike, Mustafa ka thënë se problemet kanë qenë të pranishme edhe kur qeveria ka qenë funksionale.
“Por edhe kur ka qenë në detyrë kanë munguar masat e duhura. Nuk kemi asnjë politikë të nxjerrë, as fiskale e as e cila stimulon prodhimin vendor apo përkrah bizneset vendore në të mirë të prodhimit, në të mirë të vendeve të punës dhe në të mirë të eksporteve. Fatkeqësisht ka vite që kjo qeveri përkundrazi i ka sulmuar bizneset vendore dhe rezultati po shihet. Po të kishte punuar sadopak me prodhimet vendore, rezultatet do të ishin shumë më të mira sesa që po prezantohen çdo muaj”, është shprehur ai.
Mustafa ka paralajmëruar se rritja e deficitit tregtar po ndikon drejtpërdrejt në qarkullimin e parasë brenda Kosovës, duke theksuar se një pjesë e madhe e mjeteve financiare po dalin jashtë vendit.
“Por rritja e deficitit tregtar shkakton një disbalancë të madhe, sidomos në mungesën e parasë brenda vendit dhe si e tillë rrit mungesën e likuiditetit të bizneseve, sepse paraja po del jashtë dhe nuk po mbetet brenda. Dhe kjo është jashtëzakonisht shqetësuese dhe fatkeqësisht jemi në një situatë kur politikat qeveritare po ndikojnë jashtëzakonisht negativisht në prodhimin vendor, po ndikojnë në rritjen e inflacionit, po ndikojnë në rritjen e migrimit, po ndikojnë në rritjen edhe thellimin e varfërisë që e kemi më të lartën në rajon dhe tashmë veçse po dëshmohet edhe deficiti tregtar”, ka thënë Mustafa.
Duke u ndalur te kritikat e tij për trajtimin e bizneseve vendore, Mustafa ka përmendur si shembull sektorin e qumështit, duke thënë se ulja e subvencioneve dhe, sipas tij, qasja mediale ndaj prodhuesve kanë dëmtuar prodhimin vendor.
“Po rasti i fundit ishte te qumështorët, domethënë te prodhimi vendor. Hapi i parë është bërë kur është ulë subvencioni në prodhimin për litër qumështi dhe menjëherë bizneset kanë filluar që të gjejnë alternativa të tjera dhe kjo është një dëm i drejtpërdrejtë që i është bërë prodhuesve të qumështit. Hapi i dytë, gjithë ai marketing i dëmshëm që është bërë në aspektin medial ndaj prodhuesve vendorë dhe duke mos kontrolluar fare produktet e importit, kjo ka ndikuar jashtëzakonisht negativisht dhe po ndikon për çdo ditë”, ka deklaruar ai.
Sipas Mustafës, pasojat e kësaj qasjeje po reflektohen edhe në kërkesën për produktet vendore.
“Kemi pasur rënie të kërkesës së prodhimit vendor dhe kjo është jashtëzakonisht shqetësuese. Domethënë qeveria përmes metodave të saj nuk po bën stimulimin e prodhimit vendor, por përkundrazi stimulimin dhe po mundohet me çdo kusht t’i dekurajojë për inatet e tyre politike, të cilat fatkeqësisht më së tepërmi dëmtohet prodhimin vendor, ekonomia e vendit dhe gjithë qytetarët e vendit”, është shprehur Mustafa për Ekonomia Online.
Ekonomisti e ka cilësuar gjendjen e ekonomisë së Kosovës si emergjente, duke kërkuar masa konkrete dhe të prekshme për përmirësimin e saj.
“Ekonomia e Kosovës që nga pandemia e tutje është në një situatë emergjente dhe masat do të duhej të ishin konkrete, të prekshme, të kapshme dhe të cilat do të shtonin vlerën në ekonominë e vendit. Fatkeqësisht të gjitha masat që merren prag fushatave zgjedhore i jepet një lëmoshë për qytetarët e vendit, edhe ajo po shihet që po del në importin e produkteve të vendit dhe po mbetet gjithçka në harresë dhe në mëshirën e fatit që bizneset dhe qytetarët janë duke i gjetur me shumë vështirësi, duke u përballur sidomos me rritjen e çmimeve më të larta në rajon, që është muaji i shtatë me radhë që prijmë në rajon me inflacionin apo shkallën më të lartë të inflacionit”, ka shtuar Mustafa.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 6,8 % në muajin korrik 2026, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2025, gjegjësisht në vlerë prej 615,7 milion euro, krahasuar me deficitin prej 576,4 milion euro në vitin 2025. Ndërkaq, eksporti mbulon importin me 14.5 për qind.
“Eksporti i mallrave në muajin korrik 2026 kishte vlerën 104,8 milion euro, ndërsa importi 720,5 milion euro, që është një rritje prej 25,0% për eksport, si dhe një rritje prej 9,1% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025”, thuhet në raportin e ASK-së.
ASK tha se sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 27,8% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12,7% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10,1% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 9,5% e përbëjnë produktet minerale, 7,1% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; etj.
Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit: 15,7% e përbëjnë produktet minerale, 13,3% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 12,4% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 11,5% e përbëjnë mjetet e transportit, 9,4% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; etj.
