Ish-sulmuesit të Tottenhamit, Jermain Defoe të hënën i është dhënë medalja e fituesit të League Cup, pas më shumë se dhjetë vjetësh që është fituar ajo.
Në finalen e vitit 2008 të kësaj gare, Tottenhami e kishte mposhtur Chelsean, përcjell Koha Ditore shkrimin e AFP-së.
Sulmuesi Defoe atëbotë ishte larguar nga Tottenhami për t’iu bashkuar Portsmouthit më pak se një muaj përpara ndeshjes finale.
Defoe kishte shënuar golin e fitores për Tottenhamin në raundin e pestë kur eliminoi Manchester Cityn. Në finale, Tottenhami me golat e Dimitar Berbatovit dhe Jonathan Woodgatet pati mposhtur Chelsean (2:1). Për Chelsean, golin e vetëm e pati shënuar Didier Drogba.
Te Tottenhami vetëm tash kanë vlerësuar edhe kontributin e Defoes në atë sukses, duke ia ndarë medaljen në një ceremoni të organizuar për të.